“Kodrën e Diellit” e pret edhe një sezon i zymtë, kjo për shkak se ende nuk ka asgjë konkrete nga premtimet dhe paralajmërimet e autoriteteve për investime të huaja. Nuk është nënshkruar as marrëveshje me italianët dhe ende nuk ka asgjë konkrete nga investimet tjera milionëshe të paralajmëruara.
Ndonëse edhe pak javë pritet të fillojë sezoni turistik në Kodrën e Diellit, deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje me investitorë të huaj të nënshkruar për investime në këtë qendër.
Kanë kaluar dy vite e gjysmë nga prezantimi i investimit italian dhe pavarësisht premtimeve e deklaratave të shumta nga autoritetet, ende nuk është nënshkruar marrëveshje me investitorin italian për revitalizimin e qendrës turistike malore Kodra e Diellit.
Ministria e Mjedisit përgjegjësinë e hedh te Qeveria e udhëhequr nga VMRO–VLEN, por nga ky institucion nuk deklarohen.
Që ky projekt është zvarritur gjithë këtë kohë e konfirmojnë edhe nga kompania italiane ‘TechnoAlpin.
“Për momentin nuk ka ndonjë të re që mund ta ndajmë”, thanë nga TechnoAlpin.
Së fundmi, para zgjedhjeve lokale, deputeti i VLEN, Adnan Azizi paralajmëroi se së shpejti pritet investim 500 milionë euro për këtë qendër turistike, por pa dhënë detaje.
Muaj më parë, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi njoftoi se ka biseduar për investim në Kodrën e Diellit me përfaqësues nga Arabia Saudite.
Ndërsa kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e ka përmendur Katarin dhe Emiratet e Bashkuara në këtë drejtim.
Megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete për opinionin nga këto deklarata.
‘TechnoAlpin’ më 19 dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.
Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.
Kodra e Diellit edhe pse është ndër vendet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të.
Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.