1 “HISTORIA E NOVELËS GRAFIKE DHE E KARIKATURËS” NË NJË BOTIM
Titulli: Historia e novelës grafike dhe e karikaturës
Autori: Oltsen Gripshi
Shtëpia botuese: Lilo Printing
Çmimi: 5000 lekë
“Novela grafike shqiptare është një rrëfim pamor i ndarë në skena, ku e kaluara mitike e ngarkuar me dogmat e realizmit socialist takohet me të tashmen që kërkon një personazh të ri për të mishëruar stereotipin shqiptar. Këto dy kohë përplasen pa fjalë të tepërta, sepse pas skenës së fundit, aty ku përfundon rrëfimi, nis heshtja që lexuesi do të duhet ta mbushë vetë.”
Me këto fjalë e prezanton botimin e librit të tij të ri autori Oltsen Gripshi.
Botimi që sjell Oltsen Gripshi, është ndër më të veçantit në llojin e vet, ku bën bashkë studimin, artin, historinë dhe sociologjinë pas karikaturave të kohës dhe lindjes së novelës grafike në Shqipëri.
Ky studim që zuri fill në bibliotekë dhe prek faqet e pasurisë së saj, dëshmon për rolin e bibliotekës si vend ku dija ruhet, rijetësohet dhe merr formë të re nëpërmjet kërkimit shkencor.
2. “PËR PAK”, SHKRIMTARJA QIPRIOTE MARIA AVRAAMIDOU NË SHQIP
Titulli: Për pak (6 tregime)
Autori: Maria Avraamidou
Përktheu: Isida Foçi
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 700 lekë
Maria Avraamidou, lindi në Kirenia në vitin 1939. Që nga viti 1957, kur u diplomua në Gjimnazin Panqipriot, deri në vitin 2000 ka punuar në Televizionin Publik, ku ka realizuar skenaret dhe regjinë e shumë dokumentarëve të ndryshëm, programeve për fëmijë, filmave televizivë dhe pjesëve teatrale. “Bregdetet e gjelbra”, “Engjëlli i ashpër” dhe shumë vepra të tjera, mbajnë firmën e saj.
3. “MË TELEFONO NËSE KE NEVOJË PËR MUA”, CARVER NË SHQIP
Titulli: Më telefono nëse ke nevojë për mua
Autori: Raymond Carver
Përktheu: Klea Vyshka
Shtëpia botuese: Toena
Çmimi: 1600 lekë
“Më telefono nëse ke nevojë për mua” përfshin gjithë prozën e Carver-it, e përmbledhur më herët te “S’ka heroizma, të lutem”, si dhe katër esetë të botuara te “Zjarret”. Në të janë përfshirë dhe pesë tregimet e mrekullueshme, të zbuluara dhjetë vjet pas vdekjes së tij, të cilat shtrihen në periudhën e shkrimit të pjekur të Carver-it, duke i dhënë lexuesve të devotshëm të tij një tjetër këndvështrim të shkrimtarit të madh. Kënaqësia e të shkruarit e Carver-it ndihet kudo në veprën e tij, edhe këtu, jo më pak, në këto tregime që tashmë kanë hyrë në hierarkinë e letërsisë moderne.