Rrjetet sociale janë kanalet kyçe për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, ku pjesa më e madhe e përmbajtjes së dëmshme gjenerohet nga individë privatë. Menjëherë pas tyre janë mediat online që publikojnë përmbajtje sensacionale dhe joetike, tregoi Raporti i Monitorimit të Gjuhës së Urrejtjes në Maqedoninë e Veriut i shoqatës “Innovative Media” për periudhën nga 1 janari 2024 deri më 30 qershor 2025. Gjetjet nga monitorimi, i cili është bërë në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis nga monitoruesja mediatike Despina Kovaçevska, tregojnë se sa thellë është rrënjosur gjuha e urrejtjes në diskursin publik në Maqedoninë e Veriut, ndërsa narrativat etnike, politike dhe ato të bazuara në gjini dominojnë, shpesh duke u ndërthurur dhe duke u përforcuar reciprokisht.
Shënjestra kryesore janë pakicat etnike
Analiza e 138 rasteve të regjistruara tregoi se pakicat etnike, veçanërisht shqiptarët, vazhdojnë të jenë objektivi kryesor, duke u paraqitur shpesh në një mënyrë që i çnjerëzon ose i stigmatizon.
“Përdoren shprehje si ‘kancer’, ‘Shiptar’ dhe ‘fis’ për të krijuar një narrativë frikësimi dhe perceptimin se ‘maqedonasit janë viktima që kanë humbur kontrollin mbi shtetin e tyre’. Në një narrativë të tillë, shfaqja e urrejtjes ndaj shqiptarëve barazohet me patriotizmin, ndërsa pranimi i tyre apo pranimi i grupeve të tjera të margjinalizuara, si p.sh. personat LGBTIK+, paraqitet si tradhti. Kur të gjitha këto bashkohen me imazhin e idealizuar të një ‘patrioti’ që nuk e pranon emrin aktual të shtetit, i përbuz shqiptarët dhe pakicat seksuale, ndjek rreptësisht doktrinën fetare dhe u përmbahet vlerave konservatore familjare, krijohet një ndarje e qartë e maqedonasve në dy kategori: ‘patriotë të vërtetë’ dhe të ashtuquajtur tradhtarë apo ‘Severxhanë’,” theksohet në raport.
Ndonjëherë edhe festimet dhe simbolet kombëtare përdoren si mjet për nxitjen e gjuhës së urrejtjes dhe shihen negativisht. Gjatë festimeve në Shkup më 28-29 nëntor 2024, në rrjetet sociale u shfaqën video ku shihej djegia dhe përdhosja fillimisht e flamurit maqedonas, e më pas edhe e atij shqiptar, gjë që shkaktoi tensione etnike dhe gjuhë urrejtjeje. Mediat dhe aktorët politikë kontribuan në përhapjen e këtyre përmbajtjeve, gjë që e përkeqësoi më tej situatën.

Grupet në shënjestër të gjuhës së urrejtjes
Gratë ofendohen për jetën e tyre private
Gjinia, gjithashtu, shfaqet si një kategori dominuese, ku shumë nga rastet kishin një dimension të qartë gjinor, veçanërisht në lidhje me gratë. Ndonëse monitorimi përfshiu media në gjuhën maqedonase dhe shqipe, pothuajse nuk kishte dallime në rastet e gjuhës së urrejtjes të bazuar në gjini.
“Në të dyja hapësirat mediatike, gratë më së shpeshti kritikoheshin dhe ofendoheshin në bazë të jetës së tyre private, në vend të cilësive të tyre profesionale. Kjo tregon se pavarësisht përkatësisë etnike, ndjenja e barazisë gjinore ende nuk është zhvilluar sa duhet dhe se stereotipat e dëmshëm për sjelljen dhe rolet e grave mbeten thellësisht të rrënjosura në diskursin publik. Mediat madje nuk duhet të publikojnë drejtpërdrejt gjuhë urrejtjeje, mjafton që në titull të përmendin përkatësinë etnike ose të raportojnë një histori personale të sensacionalizuar, apo ndonjëherë edhe një ngjarje e zakonshme mjafton për të shkaktuar një valë komentesh urrejtjeje,” shkruhet në raport.
Pasqyrim i ndarjeve të thella shoqërore
Kjo pasqyron ndarjet e thella në shoqëri dhe anonimitetin e rrjeteve sociale, ku njerëzit ndihen se mund të thonë gjithçka pa mbajtur pasoja. Nga ana tjetër, thekson nevojën urgjente për moderim efektiv të komenteve dhe përmbajtjeve, si dhe për forcimin e edukimit mediatik të popullsisë, e cila ende lehtësisht u nënshtrohet manipulimeve dhe urrejtjes.
“Mes këtyre individëve privatë shpesh shfaqen politikanë që përdorin profilet e tyre për nxitjen e urrejtjes, qoftë përmes krijimit të incidenteve, qoftë përmes shpërndarjes së qëndrimeve që janë personale e jo zyrtare dhe institucionale. Pastaj mediat i marrin dhe i transmetojnë këto deklarata si lajme, duke rritur shtrirjen e tyre. Një praktikë e tillë, së bashku me mungesën e sanksioneve, krijon një hapësirë në të cilën, ndonëse ekzistojnë ligje kundër gjuhës së urrejtjes, zbatimi i tyre varet në masë të madhe nga vullneti politik ose vlerësimet subjektive morale,” theksohet në përfundim të raportit.
Mungesa e përgjegjshmërisë lejon që gjuha e urrejtjes të mbijetojë dhe të thellojë ndarjet dhe armiqësinë. Kjo thekson më tej nevojën urgjente për narrativa pozitive që do të ofrojnë perspektiva alternative dhe do t’i kundërvihen retorikës së dëmshme.
Raporti u publikua në kuadër të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit (RRD) ndërkaq u financua nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Shoqëri të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga Qendra për promovimin e shoqërisë civile (Centar za promociju civilnog društva – CPCD), Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetet financiarisht nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme (MNPJ).