Në muajin tetor pritet të zhvillohet Censi i Bujqësisë dhe Blegtorisë, një proces kombëtar që synon të mbledhë të dhëna të detajuara mbi sektorin bujqësor në Shqipëri, përfshirë sipërfaqet e mbjella, kulturat bujqësore, pajisjet, fermat dhe numrin e bagëtive. Sipas INSTAT, ky proces do të ketë një kosto prej rreth 8.9 milionë eurosh dhe synon të japë një pasqyrë të plotë mbi gjendjen reale të sektorit.
INSTAT ka bërë me dije se puna përgatitore për censin ka nisur, duke përfshirë hartimin e metodologjisë dhe përgatitjen e pyetësorëve, të cilët janë ndërtuar mbi bazën e të dhënave administrative dhe përvojës nga censet e tjera, përfshirë edhe atë të popullsisë dhe banesave. Megjithatë, institucioni thekson se vonesat në miratimin e kuadrit ligjor kanë krijuar vështirësi në realizimin në kohë të procesit.
Siç u shpreh sekretari i INSTAT, Alban Çela:
“Gjatë këtij viti INSTAT ka marrë masat për të bërë të gjitha organizimet metodologjike të nevojshme, si finalizimi i pyetësorit, me bazë edhe tek censi i popullsisë dhe banesave por edhe të dhëna administrative. Në muajin maj ishte planifikuar edhe funksionimi i Komisionit të Censit në nivel bashkie, si struktura kyçe për koordinimin lokale. Një pjesë e aktiviteteve nuk janë 100% të realiziuar për shkak se janë në vazhdimësi. Censi është një proces shumë dinamik, dhe duke marrë parasysh të gjitha vonesat e deritanishme patjetër ka hapa që na krijojnë vështirësi, megjithatë ka ende hapësirë për të realizuar aktivitetin me cilësinë e nevojshme”.
Nga ana tjetër, në Komisionin e Ekonomisë u zhvilluan debate lidhur me buxhetin e parashikuar për këtë proces. Kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, deklaroi:
“Censi i bujqësisë ka pasur një zë të caktuar në buxhetin e këtij viti që këtë pjesën që thoni se s’dimë buxhet, mos e thoni sepse e kemi miratuar”.
Projektligji për Censin e Bujqësisë është miratuar në qeveri më 3 qershor dhe pritet të kalojë në Kuvend për miratim përfundimtar, duke i hapur rrugë nisjes së punës në terren. INSTAT synon që brenda rreth 4 javësh të realizojë regjistrimin e plotë të tokës së mbjellë, fermave dhe numrit të bagëtive në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave, fotografia e fundit e plotë e sektorit bujqësor dhe blegtoral është realizuar në vitin 2012. Që prej asaj kohe, janë vërejtur ndryshime të rëndësishme, ku sipërfaqja e tokës së mbjellë është tkurrur me rreth 18.7 mijë hektarë, ndërsa numri i bagëtive në stalla është ulur me rreth 960 mijë krerë.