Brenda vitit 2030-të qeveria planifikon të ndërtojë një ‘Universitet të Moshës së Trete’, ku të gjithë qytetarët mbi 50-vjeç do të kenë mundësi të marrin leksione në disa degë përfshirë artet, historinë, filozofinë apo çështjet aktuale.
Për të shëndoshur shëndetit mendor, për të rritur mundësitë e punësimit dhe të ndërveprimit social, qeveria ka vendosur të ngrejë ‘Universitetin për Moshën e tretë’.
I konceptuar si një organizatë arsimore unike dhe inovative nga ky universitet që do ngrihet në Tiranë pritet të marrin mësim 80 persona në vit, ndërsa përfitues do të jenë qytetarët mbi 50 vjeç.
“Në këtë fazë të jetës, aktivitetet shoqërore kuptimplotë mund të përmirësojnë ndjeshëm shëndetin mendor, rrisin kënaqësinë nga jeta dhe cilësinë e jetës, ato gjithashtu mund të zvogëlojnë simptomat e depresionit”, thuhet në programin 2025-2030.
Aktualisht në vend gati 42% e popullsisë ose rreth 1 milionë banorë i përket moshës mbi 50 vjeç sipas të dhënave të CENSIT 2023.
Qytetarët që do të vendosin t’i rikthehen studimeve do të kenë mundësi të marrin kurse dhe trajnime nga fusha të ndryshme, nga artet, profesionet, gjuhët e huaja, historinë, shkencën, filozofinë, çështjet aktuale dhe më shumë.
Ministria e Shëndetësisë thotë në dokument se një hap i tillë, ka rezultuar i suksesshëm në Francë apo në Britani, pasi është luftuar vetmia dhe stimuluar ndërveprimi social dhe zhvillimi i njohurive të ndryshme pavarësisht moshës.
Po ashtu kjo kategori që do të marrë njohuri për fusha të caktuara dhe do të trajtohet do të ketë edhe mbështetje për punësim. Sipas këtij dokumenti 300 biznese brenda këtyre 5 viteve duhet të krijojnë kushtet për punësimin e të moshuarve me orar të përshtatshëm.