Gjatë muajve prill, maj dhe qershor të vitit 2024 numri i kosovarëve që kanë qenë të papunë ishte më i lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2023.
Këtë e tregon një raport i publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas raportit, 420 mijë persona të moshave ndërmjet 15 dhe 64 ishin të punësuar gjatë tremujorit të dytë të 2023-ës.
Por, në periudhën e njëjtë të një viti më vonë, ky numër ishte për rreth 7.800 punëtorë më i vogël.
Prej tyre, rreth tre mijë persona që kanë mbetur pa punë janë të rinj.
Këto shifra nuk i sheh si luhatje të mëdha në tregun e punës, ekonomisti Bashkim Mustafa, por fakti që numri i të punësuarve është në ulje është shqetësues për të, sidomos tek të rinjtë.
“Është trend i njëjtë si i vitet e kaluara, pra vazhdon rritja e të papunëve për të rinjtë, për moshat 15 deri në 24 vjeç, ku kemi një përqindje rritjeje në 27.8% nga 17.2% që ka qenë vitin e kaluar”, ka deklaruar Bashkim Mustafa, ekonomist.
Megjithatë, shifrat e ASK-së tregojnë se numri i të pa punëve është më i vogël.
Derisa në tremujorin e vitit 2023, të papunë ishin 50 mijë 387 persona, në periudhën e njëjtë të 2024-ës ky numër ishin 49 mijë e 194 persona.
Në këtë raport, ajo që shihet pozitive është zvogëlimi i numrit të të rinjve që nuk janë të punësuar, duke u shkolluar apo duke ndjekur ndonjë trajnim.
Nga afro 100 mijë të rinj, ky numër ka rënë në afro 80 mijë në tremujorin e dytë të vitit 2024.
Sociologët, këtë shifër të të rinjve pa asnjë aktivitet e shohin akoma si të lartë dhe shqetësues.
Një nga faktorët kryesorë shihet përdorimi i teknologjisë.
“Kjo gjeneratë, prej viteve ’90 e këndej, është gjeneratë e teknologjisë dhe rrethohet me pajisje teknologjike që bëjnë problem në socializimin në shoqëri. Interneti, telefoni i mençur, Tik-Tok etj., kanë ndikuar drejtpërdrejt në socializimin e kësaj moshe”, ka theksuar Halim Emerllahu, Sociolog.
Emerllahu shton se mekanizmat shtetërorë duhet të punojnë më shumë për aktivizimin e të rinjve në aktivitete që kjo pjesë e shoqërisë është e interesuar për to.