Në Universitetin e Tetovës, më 14 maj 2025, u zhvillua Seminari i III-të i Psikologjisë me temë: “Mirëqenia dhe sjelljet e rrezikshme”, organizuar nga Programi studimor i Psikologjisë, në kuadër të Fakultetit Filozofik. Seminari kishte për qëllim identifikimin e treguesve të mirëqenies dhe sjelljeve të rrezikshme tek adoleshentët, si dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e këtyre sjelljeve dhe përmirësimin e shëndetit mendor të të rinjve.
Seminari u organizua nga stafi dhe studentët e Programit studimor të Psikologjisë. Kjo ngjarje u hap nga shefi i programit studimor Prof. Dr. Lulzim Murtezani. Aktiviteti u realizua nga Prof. Dr. Ibrahim Neziri, Doc. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi dhe Prof. Dr. Luljeta Bexheti.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues nga fusha të ndryshme akademike, institucionale dhe shoqërore, përfshirë: studentë, profesorë, përfaqësues të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve,
Qendrave për Punë Sociale, komunave, Njësisë së Policisë së Komunitetit, Ambasadës së SHBA-së, si dhe organizatave joqeveritare që veprojnë në fushën e rinisë dhe shëndetit mendor.
Gjatë seminarit u prezantuan gjetje nga studimi ndërkombëtar “Health Behavior Study Among School Children”, i cili analizon sjelljet shëndetësore të fëmijëve të moshave 11, 13 dhe 15 vjeç në Maqedoninë e Veriut.
Aktivitetet u zhvilluan përmes punëtorive, diskutimeve të hapura dhe prezantimeve interaktive, me qëllim krijimin e një dialogu të hapur ndërmjet të rinjve dhe institucioneve përkatëse. Po ashtu, u mbajt edhe një workshop me nxënës nga qytetet Strugë, Kërçovë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup, ku u trajtuan çështje që lidhen me sjelljet e rrezikshme, shëndetin mendor dhe mekanizmat e mbrojtjes dhe ndihmës.
Nga diskutimet dolën disa përfundime kyçe, si: nevoja për rritjen e numrit të këshillimoreve psikologjike dhe rifunksionalizimin e atyre ekzistuese; rritja e fushatave sensibilizuese për ndërgjegjësimin mbi faktorët që ndikojnë në sjelljet e rrezikshme; identifikimi i hershëm i treguesve negativë të mirëqenies tek adoleshentët; theksimi i bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe familjes për parandalimin e këtyre fenomeneve.
Seminari u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të politikave dhe praktikave më të mira për mbrojtjen e shëndetit mendor të të rinjve dhe për parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në shoqëri.