Shqipëria përmbylli ciklin e raportimeve me Komisionin Europian për kapitujt 23 dhe 24 që i përkasin grupit të Themeloreve. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një postim në rrjetet sociale tha se Tirana dëshmoi “se shteti i së drejtës ndërtohet me punë të përditshme, bashkëpunim institucional dhe rezultate të prekshme”.
Në këtë proces, Ministria e Drejtësisë ka udhëhequr 21 takime raportuese, mbi 85 orë diskutime e negociata dhe mbi 3 mijë e 500 faqe dokumentacion teknik. “Tabelat e përputhshmërisë, draft-ligjet, relacionet shpjeguese dhe analizat cilësore tregojnë qartë për një proces që ecën me standardet më të larta europiane”, theksoi Manja. Grupi i parë që çeli negociatat Shqipëria me Bashkimin europian ishte pikërisht ai i Themeloreve.
Në këtë proces ka kapituj të rëndësishëm siç është ai “Drejtësia dhe të drejtat themelore” (kapitulli 23) dhe “Drejtësia, Liria dhe Siguria” (kapitulli 24). Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE.
Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës Ndërqeveritare. Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim. Për qëllime të procesit të negociatave, acquis i BE-së ndahet në 35 kapituj negociues (fusha politikash). Vendi kandidat nuk negocion mbi acquis e BE-së, por mbi transpozimin e zbatimin e tij.