Parku Kombëtar i luginës së Valbonës në Shqipëri është një nga pjesët më të bukura të Alpeve shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë disa pamje nga Valbona, nën petkun e artë të vjeshtës.
“Mirëmëngjes dhe me bukurinë mahnitëse të Valbonës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Nacional dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh. Natyra e këtij parku është e pasur me varitete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm.
Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Nën ujëvarën e pragut të Valbonës, ujërat e këtyre burimeve zhduken nën zhavorre deri në hyrje të Rragamit.
Ka toka të murrme pyjore mes lartësive 500-1200 metra, pastaj vijnë tokat e kadifenjta që shtrihen në shpatin e majtë të kësaj lugine nga Mbaskollata dhe deri në Shoshan në lartësinë 400-900 metra.