Shumica e ditëve të nëntorit kanë qenë me ajër të ndotur në Tetovë, shifrat e ndotjes së ajrit kanë tejkaluar pragun e alarmimit. Mesatarja e regjistruar e grimcave PM 10 nga 1 deri më 18 nëntor është 62.7 mikrogramë për metër kub (μg/m3) ku vlera mesatare ditore e PM10 e lejuar është 50 μg/m3. Ndërsa mesatarja e regjistruar e grimcave PM2.5 është 42.64 μg/m3 nga vlera e lejuar 25 μg/m3, shkruan Portalb.mk.
Me fillimin e sezonit të ngrohjes si zakonisht fillon edhe periudha e ndotjes së ajrit në mbarë vendin. Ky problem nuk e lë pa e prekur as Tetovën.
Ditëve të fundit, për shkak të rënies së temperaturave është regjistruar ndotje më e madhe.
Disa nga shkaktarët më të mëdhenj për ndotjen tani më janë të njohur si ngrohja me dru dhe mjete të tjera djegëse dhe tymi i automjeteve.
Sipas aktivistes së mjedisit, Elmedina Abdullai, planet ekologjike bëhen më shumë sa për sy e faqe dhe çalojnë në implementim.
“Fatkeqësisht në terren nuk tregohet asgjë. Sendi më i thjeshtë që mund të bëhet është të fillojnë me larjen e rrugëve, sepse për shkak të problemeve me PM2.5, momentalisht janë shumë më të koncentruara dhe më të dëmshme se ajo që ishte më parë me PM10”, tha Elmedina Abdullai.
Megjithatë, nga Komuna e Tetovës arsyetohen. Zëdhënësja Besarta Ramadani thotë se komuna tashmë ka plan dhe do të veprojnë. Sipas saj, kanë plan afatshkurtër për periudhën nëntor 2025 – mars 2026 dhe po ndërmarrin aktivitete konkrete.
“Inspektorati komunal për ambientin në Komunën e Tetovës, në përputhje me planet dhe rekomandimet afatshkurtra për ajër të pastër, do të shtojë aktivitetet në terren gjatë periudhës së sezonit të ngrohjes. Gjatë javëve në vijim do të kryejnë kontrolle më të shpeshta në të gjithë ndërmarrjet, fabrikat për prodhimin e mobileve, punëtoritë dhe automekanikët. Sigurisht qëllimi kryesor është kontrollimi i mënyrës së funksionit të pajisjeve të filtrimit dhe respektimi i obligimeve të mbrojtjes së ambientit”, tha Besarta Ramadani.
Para pak ditësh, Komuna e Tetovës tentoi të manipulojë opinionin publik, ku përmes një postimi thanë se Komisioni Evropian për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për qytetarët. Por, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Komuna e Tetovës përmendet vetëm një herë edhe atë për përfundimin e kadastrës së ndotjes së ajrit, pa asnjë vlerësim apo lavdërim për politikat mjedisore.
LEXO: Kundërspin: Komisioni Evropian nuk e lavdëroi Komunën e Tetovës për mjedisin siç pretendon komuna
Ndryshe, ndotja e ajrit mbetet problem kronik për Maqedoninë e Veriut. Këtë e kanë theksuar vazhdimisht edhe raportet dhe organizatat ndërkombëtare.