Fonetika dhe fonologjia, morfologjia, sintaksa dhe gramatika e shqipes janë në qendër të projektit të fundit të ndërmarrë nga studiuesit e gjuhësisë.
“Pa mohuar punën e jashtëzakonshme që është bërë prej një shekulli e ca, por po flasim për traditën e gramatikave të hartuara nga personalitete të tilla si Sami Frashëri apo Kostandin Kristoforidhi, Gjergj Pekmezi apo të tjerë në vitet ’40-të. Vijmë te gramatika shkencore e Akademisë së Shkencave. Gramatikat që përmenda janë gramatikat e individëve, por që çojnë tek shkolla sesa çojnë tek një përgjithësim i strukturës gramatikore të shqipes. Me krijimin e Akademisë së shkencësore të Shqipërisë u hartuan dhe veprat madhore që lidhen me strukturën gramatikore të shqipes, morfologjia dhe sintaksa siç u hartua dhe Fonetika e gjuhës shqipe dhe Fjalori i Gjuhës Shqipe të 1980, që japin profilin e strukturës gramatikore të shqipes bashkëkohore. Projekti synon që të sjellë konceptime të reja bashkëkohore, duke mos e parë gjuhën në vetvete për vetveten, siç mund të jetë morfologjia dhe sintaksa, por duke e parë nga ligjërimi, nga diskursi, nga përdorimi tek gramatika, dhe prekëndej pra, të bëjmë një gramatikë sa më afër përdoruesit, një gramatikë që të jetë sa më e zhdërvjellët, por duke sjellë dhe të gjitha konceptet bashkëkohore të botës sot dhe përvojën më të mirë të gjuhëve me gramatika bashkëkohore, siç janë frëngjishtja, anglishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja e të tjera.”, thotë për “Report TV” drejtuesi i Institutit të Gjuhësisë, Valeter Memisha.
Një tjetër projekt madhor që po përmbyllet është Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, i cili nga 1 janari do të jetë online me rreth 125 mijë njësi leksikore, ndërsa më vonë do të botohet edhe në versionin e printuar.
“Në datën 22 dhjetor, si Akademi ne dorëzojmë fjalorin tonë, gati-gati të përfunduar dhe në 1 janar, pavarësisht se premtimin e thamë vjet për në 1 janar, po vjet ne paraqitëm një vepër me rreth 100.000 njësi, kurse gjatë kësaj kohe vepra vajti 125.000 njësi, pra u shtua vëllimi me 25%. Nga 1 janari vepra do të jetë në sistemin online për t’u përdorur me të drejtë hyrjeje dhe përdorimi apo i aksesueshëm nga përdoruesi: po them studiues, nga përdoruesi gazetar, nga përdoruesi shkencëtar, nga përdoruesi i zakonshëm, nga përdoruesi shqiptar dhe i huaj. Vepra do të jetë në një vit rresht, në një trysni, po them kqyrje, duke qenë e hapur për vërejtje që mund të ketë, për përmirësimet që do të jenë hap mbas hapi. Vepra në gjendjen e sotme është 10.500 faqe, domethënë do të dalë në disa vëllime dhe është një punë e jashtëzakonshme e një grupi pune me rreth 100 e ca veta: 55 deri në 60 kanë qenë bashkëpunëtorë, 25 janë grupi i artuesve, nëntë veta është grupi i redaksisë etj.”, vijon Memisha.
Memisha ngriti shqetësimin për dobësimin e përdorimit të shqipes, sidomos te të rinjtë, për shkak të ndikimit të anglishtes, përdorimit të teknologjisë dhe varësisë nga përkthimet automatike. Ai theksoi dëmtimin e sintaksës dhe varfërimin e kompetencës leksikore.
“Shqipja është në përdorim, por krijohen situata të tilla që me të vërtetë profesor Xhevat Lloshi e shtron si një gjendje bilinguizmi në popullsinë shqiptare. Sidomos brezi i ri, që është në shkollë, anglishten sot e ka gati- gati si gjuhë amtare. Fatkeqësisht në nivele të arsimit fillor, por dhe arsimi i mesëm e i lartë kanë një prirje për të folur anglisht, për të komunikuar anglisht, madje edhe mendimet i ndërtojnë në anglisht. Kjo ndikon si strukturë edhe tek vetë shqipja.”, vëren ai.
Drejtori i Institutit të Gjuhësisë kërkoi më shumë angazhim të shkollës, institucioneve dhe mediave për të nxitur leximin, letërsinë shqipe, kulturën e fjalës dhe përdorimin e drejtë të gjuhës standarde, duke theksuar se letërsia është laboratori ku pasurohet gjuha.