Tetë projektligje të ‘Paketës Fiskale’ për vitin 2026, nisin shqyrtimin në Komisionet parlamentare këtë të hënë. Diskutimet më të mëdha pritet t’i marrin projektligjet e ‘Paqes Fiskale’ që synojnë fshirje të gati 1 miliardë euro borxhe të bizneseve, si dhe rikthimi i TVSH-së 10% në bujqësi e deri tek rivlerësimi i pronave që nis në 2026-ën.
Maratona e ‘Paketës Fiskale’ starton këtë të hënë në komisionet parlamentare, ku ndryshojnë 5 ligje që janë aktualisht në fuqi, ndërsa 3 janë projektligje të reja, me qëllim finalizimin e ‘Paqes Fiskale’ dhe realizimin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Dy nga projektligjet më të rëndësishme të pagëzuara si ‘Paqe Fiskale’ me bizneset, pritet të jenë në fokus të diskutimeve.
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, parashikon faljen e rreth 500 milionë euro detyrime e gjoba që bizneset i kanë të papaguara deri në 31 dhjetor 2014. Po ashtu lehtësohen detyrimet e krijuara nga 2015-2024, por me kushte, pasi një pjesë e borxhit duhet paguar brenda 2026-ës.
Ndërsa “Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, propozon bërjen e një marrëveshje maksimumi 3-vjeçare me bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë, duke negociuar fitimin e tyre. Pra mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.
Praktikisht një biznes me fitim 15 milionë lekë, në vitin paraardhës, i shtohet një marzh prej 18% ose 2.7 milionë lekë, duke e çuar fitimin në 17.7 milionë lekë, që tatohet me 15%. Ndërsa çdo lekë mbi 17.7 milionëshin tatohet me 5%. Ky është favor për bizneset e mëdha, të cilët aktualisht për çdo fitim tatohen me 15%.
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, po ashtu është pjesë e paketës fiskale 2026, parashikon t’u japë mundësinë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut kundrejt një norme tatimore 5%. Kjo fushatë do të zgjasë nga janari deri në dhjetor 2026.
Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.
Ndryshohet edhe ligji aktual i TVSH-së, pasi do të rikthehet kompensimi në bujqësi. Për çdo faturë që fermerët do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktin do të kompensohen me 10% të vlerës së saj, këtë parashikon ndryshimi i ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Bizneset nuk do të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 100 mijë lekë në cash me një biznes tjetër. Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.
Projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, që nis të diskutohet në komisione, parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Ndërsa dy nismat e tjera pjesë e ‘PAKETËS’, janë projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit.
“Në legjislacionin aktual, sponsorizimet në sport njihen si shpenzime të zbritshme vetëm për ekipet sportive deri në nivelin 5% të fitimit para tatimit. Me ndryshimin e propozuar, parashikohet që kjo kategori të zgjerohet, duke përfshirë edhe federatat sportive, komitete oplimpike dhe sportistët e nivelit të lartë, që kanë fituar tituj për meritë, me qëllim rritjen e mbështetjes financiare për sportin elitar dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive. Në këtë mënyrë, bizneset private do të kenë mundësi të njohin si shpenzim të zbritshëm sa trefishi i shumës së sponsorizuar, deri në kufirin 5% të fitimit para tatimit. Ky incentivim fiskal pritet të ndikojë në forcimin e sportit kombëtar dhe promovimin e vlerave sportive shqiptare brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në relacionin e projektligjit për ‘Tatimin mbi të Ardhurat. Këto lehtësi e ndryshime pasqyrohen edhe në nene të caktuara tek ligji i njohur si i ‘fiskalizimit’.