Policia e Shtetit thotë se ka marrë të gjitha masat për protestën që Partia Demokratike pritet të zhvillojë më 8 maj në Tiranë, ndërsa paralajmëron se çdo shkelje e ligjit nga protestuesit do të përballet me reagim sipas Kodit Penal. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi në një konferencë për mediat se protesta është autorizuar për t’u zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe duhet të qëndrojë brenda këtij perimetri.
“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruaR. Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestuesve do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, deklaroi kryepolici.
Përmes një njoftimi, Policia lajmëron se nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
Po ashtu njoftohet se nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Blutë e kryeqytetit u bajnë apel organizatorëve të tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.
Gjithashtu, Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Në protestën e fundit të PD, strategjia e Hites funksionoi në shpërndarjen e menjëhershme të grupit të zjarrit që shoqëron Sali Berishën dhe shmangien e akteve të dhunshme me molotovë që kishin dominuar shumë prej protestave të mëparshme.