Nesër më 21 nëntor, Tirana do të mirëpresë samitin “Plani i Rritjes, Rruga jonë në BE” (Growth Plan “Our pathway to EU”, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos do të ndajnë diskutime për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian.
Samiti do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave dhe është planifikuar të nisë në orën 09:30.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama rreth orës 17:00 të pasdites së sotme ka pritur në Kryeministri Komisioneren për Zgjerim Marta Kos, ndërsa në axhendë ka dhe një darkë të planifikuar mbrëmjen e sotme.
AGJENDA
Ora: 09:30 – 12:00
Vendi: Pallati i Brigadave
09:30 – Mirëseardhja/ Doorstep Statements
10:00 – Nisja e punimeve të Samitit Groëth Plan
Fjalët Hapëse
• Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
• Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta KOS
11:30 – Foto Familjare
11:35 – Konferencë për shtyp, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.
Niko Peleshi pret në Kuvend komisioneren Marta Kos: Mbështetje e plotë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në një takim Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos, mbi ecurinë e integrimit europian dhe prioritetet e këtij procesi pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Gjatë takimit, Komisionerja Kos vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka bërë progres mbresëlënës.
“Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Europën më të fortë. Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer. Vlerësojmë shumë mbështetjen popullore dhe konsensusin politik e parlamentar për integrimin në BE”, u shpreh ajo.
Kryetari Peleshi nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian, duke e cilësuar atë si prioritet madhor dhe objektiv strategjik kombëtar.
“Integrimi evropian ka rrënjë në historinë dhe identitetin tonë, në moton e rilindasve “për Shqipërinë dielli lind nga perëndon”. Kuvendi do të vazhdojë të garantojë legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Si Kryetar i Kuvendit do të mbështes aksesin dhe kontributin e opozitës dhe qytetarëve në integrim”, u shpreh ai.
Në takim mori pjesë edhe Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj dhe Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Gjekmarkaj theksoi mbështetjen e opozitës për integrimin në BE, duke insistuar në rëndësinë e standardeve demokratike.
Takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët për të çuar përpara ritmin e negociatave dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet europiane. Theksojmë që Marta Kos ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë ditën e nesërme në samitin “Plani i Rritjes, Rruga jonë në BE”.