Një punë e vështirë dhe emocionale ka qenë për Uvil Zajmin “risjellja në jetë” e të atit, piktorit Nexhmedin Zajmi, përmes botimit të albumit dhe monografisë kushtuar jetës dhe krijimtarisë së tij.
Sot, kjo monografi vjen si homazh për njërin nga emrat më të rëndësishëm të pikturës shqiptare.
Piktorë, skulptorë, pedagogë, studentë dhe personalitete të kulturës shqiptare vlerësojnë krijimtarinë e artistit, ndërsa i biri, Uvil Zajmi, risjell në mendje të atin, si prind dhe si piktor.
“Mu rikthyen në pak sekonda nga një faqe tek tjetra, Zajmi në mëngjes kur dilte herët për të marrë qumështin me cigaren “Partizani”, që nuk e ndante, nuk përdorte shkrepëse. Pastaj ai me vrap për të shkuar në studio. Gjeta kavaletin, pashë tubetat, aty gjeta dhe shishet me benzinë që ne mbanim në shtëpi për ta pastruar kur kthehej nga studioja i lyer. Aty gjeta Zajmin, angazhimin e tij në prag të ekspozitave, punën pafund, netë pa gjumë, momenti kur bashkë me të çonim pikturat në ekspozitë mbrëmjeve, në natë, që mos të na shihte njeri. Ky album ma riktheu këtë lloj emocioni, këtë lloj komunikimi të humbur prej 35 vjetësh me Zajmin piktor dhe artist.”, tha Zajmi.
Monografia përfshin 130 piktura, materiale arkivore, foto të rralla dhe një analizë artistike të zgjeruar. Po ashtu, sjell një dëshmi personale të vajzës së piktorit, Anila Zajmi, e cila e shikon figurën e të atit si artist dhe si prind.
Pjesa e parë e albumit i kushtohet jetës së Nexhmedin Zajmit: nga fëmijëria, shkollimi fillor e i mesëm, ardhja në Tiranë dhe shkollimi, dhe takimet e para me pedagogët që zbuluan talentin e tij: Andrea Kushi, Odhise Paskali, Abdurrahim Buza. Më pas vijojnë vitet e Romës, një etapë thelbësore në formimin e tij artistik. Kjo periudhë shoqërohet me fotografi të rralla dhe materiale dokumentare.
Pjesa e tretë është një analizë shkencore e realizuar nga Oltsen Gripshi.
Në fund, disa faqe i janë kushtuar fotografive bardhezi të pikturave që nuk u arrit të gjendeshin fizikisht, por që falë fotos ruajnë ende vlerën e tyre dokumentare.