Një tjetër rivlerësim i pasurive të paluajtshme pritet të ndodhë, nga 1 janari 2026. Projektligji është hedhur për konsultim publik dhe parashikon normë tatimore 5% për çdo pronë të rivlerësuar, tokë, apartament apo truall nga qytetarët apo bizneset.
Rivlerësimi i ri i pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe do të mbyllet më 30 shtator 2026. Ministria e Financave ka hedhur për Konsultim Publik projektligjin e ri për rivlerësimin e pronave që parashikon përafrim të vlerës së pronave me çmimet e tregut.
“Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë që, nga data 1 Janar 2026 deri në datën 30 shtator 2026, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë procesuar brenda datës 30 shtator 2026, konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet deri në datë 31 dhjetor 2026”, thuhet në projektligj.
Për rivlerësimin e pronave të paluajtshme propozohet që tatimi të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim ligjor kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.
Rivlerësim të pronës, apartamentit, apo truallit nuk do të bëjnë vetëm qytetarët por edhe bizneset, po me normë tatimore 5%. Përfitues të këtij procesi do të jenë edhe ata individë që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë por për këtë rast procedurat e rivlerësimit dhe pagesës për rastet e parashikuara në këtë nen përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Procesi i fundit i rivlerësimit të pasurive kishte normë tatimore 3% dhe nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022, dhe nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin dhe u rivlerësuan 168.200 pasuri, dhe buxheti i shtetit përfitoi 12.7 miliardë lekë.
TATIMI PËR SHITJEN E PRONAVE
Vlera fillestare 100 mijë euro
Vlera pas shitjes 120 mijë euro
Tatimi 20.000*15%=3 mijë euro
TATIMI PAS RIVLERËSIMIT TË PRONAVE
Vlera fillestare 100 mijë euro
Vlera pas rivlerësimit 120 mijë euro
Tatimi 20.000*5%= 1,000 euro