Dy projektligjet e ‘paqes fiskale’, që po debatohen më së shumti në seancën plenare, parashikojnë përveç fshirjes së borxheve më të vjetra se 10 vjet, lehtësohen detyrimet më të reja, si dhe do të negociohet fitimi mes biznesit dhe tatimeve.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Financave për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, ku përfitues do të jenë të gjitha bizneset e mëdha, që nuk përfitojnë nga normat e reduktuara tatimore, nuk kanë detyrime të papaguara dhe nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk janë subjekt hetimi nga administrata tatimore.
SI DO TË FUNKSIONOJË ‘TATIMI I DAKORDËSUAR” i parashikuar në projektligjin e “Marrëveshjes së Paqes Fiskale”?
Të gjitha bizneseve të mëdha me fitime mbi 14 milionë lekë që plotësojnë kriteret e sipërcituara, tu jepet mundësia që të bëjnë një marrëveshje me tatimet, dhe të përfitojnë lehtësi fiskale.
“Këta tatimpagues, nëpërmjet një marrëveshjeje të veçantë me administratën tatimore, do të kenë mundësi të përcaktojnë paraprakisht bazën e tatueshme dhe detyrimin përkatës tatimor për një vit, me mundësi rinovimi deri në dy vite të tjera”, thuhet në relacion.
Në nenin 5 të projektligjit thuhet se gjatë ‘Paqes Fiskale’, tatimpaguesit, mund të aplikojnë në e-filing për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale. Ndërsa tatimi do të dakordësohet mbi një formulë, bazuar në fitimet e deklaruara dhe një marzh fitimi ekstra.
“Fitimi i tatueshëm i vlerësuar është fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm i rritur me 18% në krahasim me fitimin e tatueshëm të vitit të paraardhës tatimor. Për çdo fitim të tatueshëm që tejkalon vlerën e parashikuar sipas pikës 2 të këtij neni, zbatohet norma tatimore prej 5%”, thuhet në nenin 5.
Pra mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.
Praktikisht një biznes me fitim 15 milionë lekë, këtë vit, i shtohet një marzh prej 18% ose 2.7 milionë lekë vitin tjetër, duke e çuar fitimin në 17.7 milionë lekë, që tatohet me 15%. Ndërsa çdo lekë mbi 17.7 milionëshin tatohet me 5%.
Tatimet pasi të bëjnë këtë llogari, do ua dërgojnë bizneseve që kanë pranuar marrëveshjen për të marrë aprovimin e tyre.
“Administrata tatimore, përcakton fitimin e tatueshëm të vlerësuar në marrëveshje i cili është fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm i rritur me 18% si marzh rritje i periudhës. Nëse fitimi i tatueshëm i subjektit do të rezultojë më i lartë sesa fitimi i parashikuar në marrëveshje, tejkalimi i fitimit të tatueshëm do të tatohet me normën 5%”, thuhet në relacionin e projektligjit.
KUR NDËRPRITET MARRËVESHJA E PAQES?
Marrëveshja me tatimet mund edhe të përfundojmë nëse tatimpaguesi nuk realizon rritjen me mbi 18% të fitimit të tatueshëm, pezullon aktivitetin, është në proces riorganizimi, nuk përmbush detyrimet ose kryen shkelje të përsëritura të detyrimeve tatimore.
Në projektligj thuhet se ‘Paqja Fiskale’ do të jetë në fuqi nga 1 janari 2026 deri në fund të vitit 2028. Përveç se do të synohet rritja e deklarimit të fitimeve, në projektligj specifikohet që bizneset amnistohet edhe nga kontrollet.
“Qëllimi i këtij ligji është të nxisë përmbushjen vullnetare të detyrimeve për tatimin mbi të ardhurat e korporatave ose tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi, përmes një marrëveshjeje njëvjeçare, kundrejt mos ushtrimit të kontrollit tatimor për këtë tatim gjatë vitit tatimor të marrëveshjes”, thuhet në nenin 2 të projektligjit.
SA BORXHE TË BIZNESEVE DO TË FSHIHEN?
Projektligji i dytë, pjesë e paketës së ‘Paqes Fiskale’, është ai “Për fshirjen e detyrimeve”, në varësi të vjetërsisë së tyre. Detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Nga përllogaritjet rezulton se janë 1 miliardë euro borxhe që falen me vjetërsi mbi 10 vite, pa përfshirë detyrimet për sigurimet shoqërore.
Ndërsa borxhet e krijuara si doganore ashtu edhe tatimore nga 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet.
“Për detyrimet e periudhës nga 1 janar 2020 deri në 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e kushtëzuar me pagesën e plotë të detyrimit brenda datës 31.12.2026”, thuhet në relacion.
Borxhi prej janarit të vitit 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2024, që arrin në vlerën e 84,4 miliardë lekë ose 844 milionë euro bashkë më gjobat e kamatëvonesat, pa përfshirë sigurimet shoqërore.
Për këto detyrime të kësaj periudhe, do të falet 50% e detyrimit nëse pjesa e mbetur paguhet me një këst brenda qershorit të 2026-ës. Kur ky kusht nuk realizohet do të falet 25% e borxhit nëse pjesa e mbetur prej 75% paguhet me këste mujore deri në fund të dhjetorit të vitit 2026. Në të dyja këto raste gjobat dhe kamatëvonesat thuhet në projektligj do të fshihen.
Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026. Në total pas përfshirë detyrimet e papaguara të sigurimeve shoqërore, arrijnë në 51,5 miliardë lekë ose 515 milionë euro, bashkë me gjobat e kamatat.
Nga ky projektligj përfitojnë afro 207 mijë biznese, dhe në total borxhet tatimore dhe doganore që do të përfshihen në këtë skemë lehtësie arrin në rreth 211 miliardë lekë ose 2.1 miliardë euro.
Në projektligj është parashikuar që të gjithë bizneset që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetimi për vepra penale në fushën tatimore ose doganore nuk do të përfitojnë nga fshirja e detyrimeve.
Paketa fiskale për vitin 2026 në Kuvend me 8 projektligje dhe 72 ndryshime ligjore
Paketa Fiskale për vitin 2026-të që shoqëron projektbuxhetin parashikon të ndryshojnë 5 ligje që janë aktualisht në fuqi, ndërsa 3 janë projektligje të reja, me qëllim finalizimin e ‘Paqes Fiskale’ dhe realizimin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Dy nga projektligjet më të rëndësishme të pagëzuara si ‘Paqe Fiskale’ me bizneset.
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, parashikon faljen e rreth 500 milionë euro detyrime e gjoba që bizneset i kanë të papaguara deri në 31 dhjetor 2014. Po ashtu lehtësohen detyrimet e krijuara nga 2015-2024, por me kushte, pasi një pjesë e borxhit duhet paguar brenda 2026-ës.
Ndërsa “Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, propozon bërjen e një marrëveshje maksimumi 3-vjeçare me bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë, duke negociuar fitimin e tyre. Pra mbi fitimin e deklaruar të një biznesi do të shtohet një marzh 18%, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, po ashtu është pjesë e paketës fiskale 2026, parashikon t’u japë mundësinë të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut kundrejt një norme tatimore 5%. Kjo fushatë do të zgjasë nga janari deri në dhjetor 2026.
Ndryshohet edhe ligji aktual i TVSH-së, pasi do të rikthehet kompensimi në bujqësi. Për çdo faturë që fermerët do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktin do të kompensohen me 10% të vlerës së saj, këtë parashikon ndryshimi i ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Bizneset nuk do të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 100 mijë lekë në cash me një biznes tjetër. Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.
Projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Ndërsa dy nismat e tjera pjesë e ‘PAKETËS’, janë projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit, si dhe për herë të parë vendoset si detyrim për bizneset online të deklarojnë NIPT-in në faqet e tyre.