Merkatoja e verës 2025 po tregon një trend të qartë: lojtarët po marrin gjithnjë e më shumë në dorë kontrollin e destinacionit të tyre. Jo më vetëm klubet vendosin, por dëshira e futbollistit shpesh bëhet vendimtare për mbylljen e një marrëveshjeje.jashari-lookman-vlahovicRasti i Ardon Jasharit është simbolik. Bryzh kishte oferta më të larta nga klubet e Premier League, por mesfushori shqiptar kishte vetëm një zgjedhje në mendje: Milanin. Pas një muaji negociatash të vështira, huazimi u realizua në termat e tij. Edhe Timoti Ueah ndoqi të njëjtin skenar. Juventus donte ta huazonte te Notingham Forest, por amerikani refuzoi dhe pranoi vetëm kalimin te Marsej. Vendimi i tij ndryshoi planet e klubit.
Viktor Gyokeres ishte objektiv i Manchester United, por sulmuesi suedez e bëri të qartë se donte vetëm Arsenal. Përkundër ofertës së rëndësishme, zgjedhja e lojtarit ishte vendimtare. Manchester United, pasi humbi Gyokeres, arriti marrëveshje për Benjamin Sesko. Lajpzig ishte gati ta shiste ku të merrte ofertën më të mirë, por Sesko e zgjodhi vetë Old Trafford-in. Alexander Isak është një tjetër shembull.
Ai i tha Njukasëll se do vetëm Liverpool dhe madje ndërpreu përkohësisht stërvitjet për të shtyrë transferimin. Ademola Lukman po ndjek të njëjtën strategji. Sulmuesi i Atalantës ka treguar se dëshiron vetëm Interin, edhe pse kërkesat e klubit të tij nuk përputhen ende me ato të zikaltërve. Përvoja e Jasharit tregon se koha mund të zbusë kushtet. Kjo prirje po krijon presion mbi klubet, të cilat nuk duan të humbasin vlerën e një lojtari për shkak të ngurrimit. Si pasojë, lojtarët dhe agjentët e tyre po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm në tryezën e negociatave. Ekspertët e merkatos parashikojnë se në të ardhmen do të shohim më shumë klauzola shlyerjeje në kontrata, për t’i dhënë lojtarit mundësinë të largohet kur e sheh të arsyeshme. Në këtë mënyrë, balanca e pushtetit po anon qartë nga futbollistët.
Në përfundim, nga Jashari te Lookman, merkatoja e këtij viti po tregon një revolucion të heshtur: klubet nuk janë më zot absolut i destinacionit të lojtarëve të tyre. Sot, më shumë se kurrë, është lojtari ai që thotë fjalën e fundit. Një trend që ndryshon faqen e historisë së marrëdhënieve klub-lojtar, duke i dhënë më shumë kredite dëshirës së vetë futbollistëve, apo vetëm një moment kalimtar që do të pasohet me rivendosjen e diktatit nga ana e pushtetit që klubet e mëdhaja evropiane kanë? Një diskutim që sigurisht do të vijojë të ngjallë interes edhe për disa kohë, në mënyrë që të kuptojmë më pas se cila do të jetë e vërteta.