Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka deklaruar se situata politike aktuale në vend nuk mund të tejkalohet pa një marrëveshje politike dhe se është i bindur që do të arrihet një bashkëpunim për të kapërcyer krizën.
“Janë duke diskutuar për tejkalimin e situatës dhe gjendjen në të cilën jemi. Dihet që nuk mund të kalojmë pa një marrëveshje, nuk mund të ketë nënshkrim pa i pasur 61 vota. Edhe z. Limaj ka qenë i qartë se konstituimi i institucioneve mund të bëhet vetëm me marrëveshje politike”, tha Nimani.
Ai konfirmoi se takimet kanë vazhduar dhe se po diskutohen hapat e mëtejshëm.
“Unë jam i bindur që do të arrihet një bashkëpunim që e tejkalon këtë krizë, e cila tashmë është edhe krizë kushtetuese dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme”, shtoi ai.
I pyetur për mundësinë e një bashkëpunimi mes Nismës dhe Vetëvendosjes, ai u përgjigj:
“Nisma gjithmonë ka qenë e qartë. Ne jemi të gatshëm për cilindo koncept politik që e kalon këtë ngecje. Kuptohet që LVV-ja është partia e parë dhe i takon të ndërmarrë hapat e parë për tejkalimin e këtij ngërçi. Limaj ka paraqitur kërkesat e tij, sikurse edhe Kurti.”
Ai theksoi se Nisma i ka bërë të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj dhe se edhe kryeministri Kurti ka treguar gatishmëri për diskutim.
“Problemi është i thjeshtë – fituesi i zgjedhjeve është ai që e propozon kandidatin dhe duhet të lëshojë pe për të bashkëpunuar me partitë e tjera”, përfundoi Nimani./Indeksonline/