Tregtia ishte një nga temat kryesore të takimit midis kryeministres japoneze Sanae Takaichi dhe presidentit amerikan Donald Trump. Japonia dhe Shtetet e Bashkuara arritën një kompromis tregtar këtë verë, por disa pika mbeten të pazgjidhura. Në mesin e shtatorit, Uashingtoni uli në 15 përqind tarifat e përgjithshme për automobilat japonezë, një sektor thelbësor për eksportet dhe punësimin e vendit aziatik. Prodhuesit japonezë do të donin që ky prag të ulej më tej.
Në frontin ekonomik, të dy udhëheqësit diskutuan zbatimin e plotë të marrëveshjes tregtare të nënshkruar në korrik, e cila përfshin angazhimin e Tokios për të investuar deri në 550 miliardë dollarë në sektorët kryesorë të ekonomisë amerikane – duke përfshirë gjysmëpërçuesit, mineralet kritike dhe ndërtimin e anijeve – si dhe rritjen e blerjeve të produkteve bujqësore dhe industriale amerikane. Memorandume mirëkuptimi u nënshkruan gjithashtu për metalet e rralla dhe ndërtimin e anijeve, një sektor në të cilin Shtetet e Bashkuara synojnë fitojnë kohën e humbur.
Presidenti amerikan falënderoi kryeministren japoneze për vendimin e saj për të intensifikuar bashkëpunimin në siguri, duke përfshirë rritjen e blerjeve të “pajisjeve ushtarake amerikane”. Në këtë kontekst, kryeministrja japoneze përsëriti angazhimin e saj, të shpallur në fjalimin e saj në Parlament javën e kaluar, për të rritur shpenzimet ushtarake në 2% të PBB-së deri në mars, dy vjet përpara objektivit të caktuar më parë për vitin 2027.
“Çfarëdo që të mund të bëj për të ndihmuar Japoninë, ne do të jemi aty. Aleanca jonë, është në nivelet më të larta”, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump gjatë takimit të tij me kryeministren japoneze Sanae Takaichi në Tokio. Trump i riafirmoi Takaichit angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Japonisë, duke theksuar rëndësinë e rolit të saj si gruaja e parë që drejton qeverinë japoneze.
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi i tha Presidentit të SHBA-së Donald Trump se ajo dëshiron të “krijojë një epokë të re të artë për aleancën Japoni-SHBA”. Gjatë takimit të tyre në Tokio, Takaichi falënderoi gjithashtu presidentin Trump për “miqësinë e tij” me paraardhësin e saj Shinzo Abe, i cili u vra tre vjet më parë.