Violinisti i famshëm shqiptar Tedi Papavrami flet për fëmijërinë, takimin e parë me violinën dhe të vërtetat e artit. Midis kujtimeve nga Shqipëria e izoluar, bashkëpunimeve me orkestrat më të mëdha botërore dhe përvojës si përkthyes i Kadaresë, Papavrami rrëfeu marrëdhënien e tij me muzikën, fjalën dhe identitetin.
Ju nisët violinën në moshën katërvjeçare, a e mbani mend notën e parë që keni luajtur, apo vetëm dorën e babait që ju drejtonte harkun?
Tedi Papavrami: Nuk kam kujtim të saktë. Mbaj mend që ndjeja siklet kur mami nervozohej ngaqë nuk përqëndrohesha dhe nuk kuptoja solfezhin. Kujtime që i ngjajnë besoj gjithë fillestareve në violinë. Për fat kjo periudhë ishte e shkurtër.
Në Shqipërinë e viteve të izolimit muzika klasike ishte luks, si ndiheshit duke luajtur tinguj që askush nuk mund t’i kuptonte plotësisht?
Tedi Papavrami: Unë ndjeja bukurinë e muzikës, sharmin dhe thellësinë e saj në mënyrë femijërore, pa kuptuar. Për fat kushdo mund ta ndjejë këtë, edhe më tepër në një botë të kufizuar, mes shumë pak mendja ku imagjinata pikërisht punon shumë më tepër se në ditët e sotme dhe në mënyrë shumë më personale e të lirë. Muzika dhe sidomos leximi si dhe jeta ime fëmijërore ishin në atë kohë shumë të pasura në ndjenja për mua. Sigurisht nuk kuptoja asgjë nga regjimi e diktatura në të cilën jetoja. Por siç ndodh shpesh, kufizimi është pasuri.
Ju jeni i njohur për interpretimet e Bach-ut, Paganinit, Prokofievit… Cili prej tyre është “biseda” më e afërt me shpirtin tuaj?
Tedi Papavrami: Ai për të cilin kam më nevojë është Bahu. Por nuk jam i vetmi muzikant në këtë rast, përkundrazi. Mbetet ai që dëgjoj më tepër si dëgjues, çka tregon më tepër se ata që luan një muzikant, lidhjen e vërtetë shpirtërore me autorin. Paganinin e luaj për arsye të tjera, me shumë kënaqësi por nuk e dëgjoj gati kurrë.
A është e lehtë të ruash identitetin shqiptar kur bëhesh pjesë e elitës artistike franceze?
Tedi Papavrami: Për mua është e natyrshme të jem i lidhur thellësisht me gjuhën shqipe, me kujtimet e fëmijërisë në një kohë kur nuk mund ta merrja me mend as që do të dilja një ditë jashtë Shqipërisë. Nuk kam bërë kurrë sforco as të ruaj as të humb identitetin shqiptar. Në përgjithësi besoj më mirë që këto gjëra të përjetohen ashtu siç janë, sinqerisht, pa u ekspozuar dhe pa u fshehur.
Si e keni përjetuar kalimin nga skenat e konservatorit në bashkëpunime me orkestra të mëdha botë? Pas gjithë këtyre skenave, a ka ende një ëndërr që nuk e keni prekur me violinë?
Tedi Papavrami: Kur isha i ri, si shumë muzikant isha i pakënaqur se me dukej që nuk vlerësohesha në masën që shpresoja. Kështu që ato suksese (ne se konsiderojmë që të luash me orkestra e të bësh turne është një sukses), që arrija, më dukeshin krejt të pamjaftueshme. Por me kohë mu qartësua që suksesi i jashtëm dhe vlera e asaj që bën në muzikë rrallë herë përputhen dhe kur ndodh kjo është shpesh rastësi. Më e rëndësishme mbetet për mua ajo që prodhoj në violinë gjatë një dite studimi. Dhe është logjike se ajo e përbën më tepër jetën time se një orë në skenë, në kondita që nuk përbëjnë realitetin e jetës.
A është muzika më e sinqertë kur luhet me gishtat apo me plagët?
Tedi Papavrami: Çdo gjë e thellë vjen nga brendësia e trupit. Nëse janë gishtat që luajnë dhe nuk vijnë gjërat nga fryma dhe qendra e trupit muzika nuk ka asnjë vlerë.
Ju jetoni në mes të dy botëve të fjalës dhe të tingullit. A ndiheni ndonjëherë sikur po përktheni shpirtin tuaj në një gjuhë që askush s’e kupton plotësisht?
Tedi Papavrami: Si interpretues (dhe përkthimi i afrohet gjithashtu), unë thjeshtë frymëzohem nga ajo që ka krijuar autori. Pa dyshim që kalojnë në këto gjëra nga vetja por këtë nuk e mendoj. Mbetem i përqendruar tek shprehja e autorit.
Ju jeni artist, përkthyes dhe mendimtar në cilin prej këtyre roleve ndiheni më “i gjallë”?
Tedi Papavrami: Të gjitha këto paraqesin punë. Do të thoja që sporti, aktiviteti fizik me lidhë më tepër me atë që më tingëllon me fjalën “gjallë”. Mbase përkthimi i një faqe të bukur letërsie sikur e përmban me pak se të tjerat hijen e trisht të punës.
Si është të përkthesh Kadarenë, një kolos të fjalës, ndërsa vetë jeni mjeshtër i tingullit?
Tedi Papavrami: Ismaili mendonte që muzika me ndihmonte në përkthim. Unë vetë nuk jam i sigurtë që kishte të drejtë, plus që ai vetë kishte shumë pak lidhje me muzikën. Ishte më tepër një kënaqësi e thellë të mundohesh të ringjallesh në një gjuhë tjetër ato parfume që të vijnë natyrshëm kur lexon një tekst të goditur. Kadareja mendonte që një tekst i përkryer gjithmonë humbet në përkthim ndërkohë që një tekst i dobët edhe mund të fitojë. Megjithatë unë gjithmonë preferoja faqet më të bukura dhe pse e ndeja që rrezikoja të mos arrija atë që ai kishte shprehur.
A ka ndonjë vepër të Kadaresë që ju ka tronditur aq sa të ndaloni për një moment dhe të harroni përkthimin?
Tedi Papavrami: Në fakt kur përkthen makina është vazhdimisht në lëvizje drejtë përkthimit dhe nuk ndalet kaq lehtë. Është tjetër proces ai i leximit pa këtë qëllim. Por sigurisht më ka ndodhur shpesh të entuziazmohem nga një gjetje e rrallë, një situatë, një përshkrim, edhe pse procesi i përkthimit vazhdonte në kokë.
A është përkthimi i Kadaresë një mënyrë për ta kuptuar më mirë Shqipërinë apo për ta përkthyer atë për botën?
Tedi Papavrami: Unë nisa përkthimin e Kadaresë në vitin 2000, në një moshë ku kisha kaluar 11 vite në Shqipëri dhe 19 në Francë. Sigurisht që ishte një kthim në rrënjët më të thella, ato të gjuhës dhe drejtë Shqipërisë, të Kadaresë e cila, siç ndodh shpesh në art, duket edhe me e përqendruar e me densitet se Shqipëria vetë. Ishte një fat i papritur në jetën time të cilin Kadareja ma dha me shumë bujari, pa asnjë ndjenje ruajtje o xhelozie ndaj veprës se tij, dhe pse fillimisht unë isha pa eksperiencë në këtë fushë.
Ju keni thënë se muzika dhe letërsia janë dy mënyra për të shpëtuar nga çfarë doni të shpëtoni?
Tedi Papavrami: Arti mbetet ngushëllim për realitetin e konditës njerëzore e cila përmban midis të tjerash koshjencën e vdekjes, mediokritetin tonë, kapacitetin e pafund të vuajtjes që mbart çdo kafshë e çdo njëri. Ka mjaft subjekte nga të cilët ja vlen të mbrohesh, qoftë pak, përkohësisht…
Çfarë do t’u thoshit të rinjve që ëndërrojnë artin, por kanë frikë nga rruga e vështirë që kërkon ai?
Tedi Papavrami: Nëse kërkimi i të vërtetës i tërheqë, arti ja vlen.