Tiranë – Policia Kufitare e Rinasit ka goditur një tjetër rast tentative për kalim të paligjshëm të kufirit. Në pranga kanë rënë tre persona me kombësi turke.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Nga kontrollet e kryera, blutë bëjnë me dije se 23 vjeçari me inicialet B.K., ., i cili do të udhëtonte në itinerarin “Tiranë-Barcelonë”, ka paraqitur pasaportë turke dhe një leje qëndrimi polake të falsifikuar.
Ndërkohë dy të tjerëve u gjetën një leje qëndrimi çeke dhe franceze. Gjatë këqyrjes së celularit së 43-vjeçarit me inicialet A. S., iu gjetën foto të dokumenteve të ndryshme të falsifikuara të disa shtetasve.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, gjatë kontrolleve të detajuara të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë dhe dalin në këtë pikë kalimi kufitar, evidentuan dhe goditën një rast të tentativës për kalim të paligjshëm, me dokumente false.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit:
B. K., 23 vjeç, C. S., 23 vjeç dhe A. S., 43 vjeç, të tre me kombësi turke, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit, në dalje, shtetasi B. K., i cili do të udhëtonte në itinerarin “Tiranë-Barcelonë”, ka paraqitur pasaportë turke dhe një leje qëndrimi polake, për të cilën shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishte e falsifikuar dhe, për këtë arsye, e kaluan në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar. Nga ekzaminimi në laborator, dokumenti (leja e qëndrimit polake) rezultoi i falsifikuar.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga Policia e Rinasit, për verifikimin e plotë të këtij rasti, u identifikuan edhe 2 shtetasit e tjerë turq, të cilët kishin ardhur së bashku dhe e kishin mbajtur në vëzhgim shtetasin B. K.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën shtetasit C. S., një leje qëndrimi çeke, e cila pas ekzaminimit në laborator rezultoi e falsifikuar.
Ndërsa shtetasi A. S. ishte me leje qëndrimi franceze të rregullt, por në vijim të veprimeve të tjera hetimore, gjatë këqyrjes së celularit, iu gjetën foto të dokumenteve të ndryshme të falsifikuara të disa shtetasve.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.