Në orët e pasdites të së martës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës kërkoi sqarim se cilat janë pasojat juridike, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik. Ky afat ishte caktuar më herët nga Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi të saj. Arsyeja e tërheqjes së kërkesës drejtuar gjykatës është sipas Presidentes Ormani gjyqtari me përkatësi serbe në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, i cili ishte caktuar nga gjykata si gjyqtar raportues për kërkesën e saj. Sipas Osmanit caktimi i Llaban si raportues për shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.
Presidentja Osmani tha se gjyqtari raportues ka rol kyç në vlerësimin e kërkesës së përkohshme dhe se këtij gjyqtari i është lënë në dorë të përcaktojë fatin kushtetues të Kosovës. E para e shtetit theksoi se caktimi i gjyqtarit Laban është shqetësues dhe i rrezikshëm si dhe siç tha ajo “kjo cenon besueshmërinë e Gjykatës për rastin konkret”.
“Kam tërhequr kërkesën të paraqitur me 22 korrik në Gjykatë. E kam bërë si reagim të menjëhershëm të informatës së konfirmuar se gjyqtar raportues është caktuar Radomir Laban, për veprimtarinë e rrezikshme të cilit në vitit 2018, 2021 dhe 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare. Sipas këtyre informata 2021, 2024 ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare për Kosovën, dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetutes”, tha Osmani.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se tërheqja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani, nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj, shkruan Reporteri.net.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) ka thënë se Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor.
“E në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, Gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund.
“Mbi të gjitha, për shkak të rëndësisë për funksionimin kushtetues të institucioneve. Por, edhe për të mbrojtur integritetin institucional të saj dhe për të mos e minuar besimin e qytetarëve në vendimmarrjen e saj si trupë, për shkak të një gjyqtari. Aq më tepër, kur kërkesat aktuale të partive politike nuk e adresojnë qartë çështjen e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor”, ka shkruar ai.
Lidhur me arsyetimin e Presidentes për tërheqjen e lëndës pasi gjyqtar raportues u caktua Radomir Llaban, Cakolli ka thënë se gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit.
Ndërkohë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se Presidentja Osmani me konferencën e djeshme sulmoi Gjykatën Kushtetuese, teksa tha se siguria kombëtare nuk mbrohet kështu.
“Sidoqofte, siguria kombetare ruhet dhe mirembahet nga autoritetet kompetente e kurre permes politizimit te GJK dhe sulmeve te tilla nga Presidenca. Gabim dhe ndertim I nje kulture te re qe cenon rende pavaresine dhe integritetin e Gjykates Kushtetuese”, ka shkruar Miftaraj.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i është drejtuar Presidentes Vjosa Osmani me katër pyetje, pasi ajo e tërhoqi kërkesën që e kishte dorëzuar lidhur me konstituimin e Kuvendit, pas caktimit të Radomir Laban, si gjyqtar raportues për lëndën.
Duke iu referuar deklaratës së Osmanit për gjetjet e organeve të sigurisë, ai e ka pyetur Presidenten se a ka komunikuar me Kryetaren e kaluar dhe Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me to si dhe nëse ka sugjeruar që bazuar në këto gjetje, Kushtetuesja të nisë procedurën për të rekomanduar shkarkimin e tij, shkruan Reporteri.net.
“Këto pyetje janë tejet esenciale dhe të rëndësishme për të vlerësuar edhe nëse vetë Presidentja e ka kryer detyrën e vet për të mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare. Opinioni i gjerë ka nevojë për qartësi dhe argumentim të saktë. Ndryshe, çdo gjë tjetër është veprim që dëmton seriozitetin e institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kryeziu.
Me një komunikatë doli Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë, duke thënë se shpreh besimin e saj të plotë se Gjykata Kushtetuese do të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe të japë një vendim të drejtë lidhur me situatën aktuale të bllokadës institucionale.
Në komunikatë thuhet se LDK-ja pret nga Kushtetuesja një vendim që i hap rrugë shumicës parlamentare të ushtrojë të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe të rikthejë normalitetin institucional.
“LDK-ja e ka bërë të qartë se, në përputhje me vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe me parimet themelore të funksionimit të sistemit kushtetues parlamentar, në rast se subjekti i parë dështon të sigurojë shumicë, e drejta për të propozuar kandidatin duhet t’i takojë shumicës parlamentare. Sistemi demokratik funksionon mbi bazën e shumicës dhe përgjegjësisë, jo të bllokadës dhe mungesës së vullnetit politik”, thuhet në komunikatë.
Por, për një deputet të kësaj partie, veprimi i Osmanit me tërheqjen e lëndës nga Kushtetuesja është “show i fundit para vendimit të madh”.
Sipas tij, brenda këtyre tri ditëve do të kuptohet nëse Kosova do të ec drejt stabilitetit institucional apo drejt zgjedhjeve të reja.
“Unë mbetem i bindur se Gjykata Kushtetuese duhet të riafirmojë parimin demokratik të vendimmarrjes nga shumica. Ajo duhet të rikthejë normalitetin institucional…”, ka shkruar Gashi.
Ai thotë se kjo duhet të bëhet duke i dhënë 30 ditë kohë Vetëvendosjes për ta zgjidhur Kryetarin e Kuvendit.
“Nëse nuk ka sukses, atëherë mundësia t’u kalojë deputetëve të Kuvendit që të zgjedhin një kandidaturë tjetër; Nëse dështon edhe kjo fazë, atëherë Presidenti/ja, në përputhje me nenin 84.2 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Demokracia nuk duhet të bllokohet. Shumica vendos. Kushtetuta udhëzon. Institucionet duhet të funksionojnë”, ka shkruar Gashi.
Kush është Radomir Laban, gjyqtari për të cilin Osmani tha se përbën rrezik për sigurinë kombëtare
Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoit ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.