Pas vrasjeve të fundit në Gjilan, kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, ka kërkuar shtimin e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe rritjen e prezencës së policisë në shkolla.
Përmes një postimi në facebook, Hyseni bëri të ditur se këto kërkesa i ka paraqitur në mbledhjen urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli.
Sipas Hysenit, gjatë takimit, përfaqësuesit e institucioneve u informuan për detajet e rasteve të fundit tragjike nga drejtori rajonal i policisë dhe komandanti i stacionit policor.
Ai tha se Komuna e Gjilanit ka ofruar bashkëpunim të plotë me organet e rendit, ndërsa përfaqësuesit institucionalë janë zotuar për angazhim më të madh me qëllim të parandalimit të ngjarjeve të tilla.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor dhe do të punojmë me vendosmëri për të garantuar qetësinë dhe rendin publik në çdo pjesë të Gjilanit”, ka shkruar Hyseni.