Kaloi viti i parë ekonomik dhe buxhetor i menaxhuar tërësisht nga Qeveria e Kryeministrit Hristijan Mickoski. Viti që filloi me një plan ambicioz për rritje ekonomike, inflacion nën 3%, deficit të reduktuar buxhetor, rritje të investimeve publike, përfundon me një rritje të kostove të jetesës për 4%, rritje të PBB-së prej 3,5%, buxhet të ribalancuar me një nivel të reduktuar të shpenzimeve kapitale. Në vitin 2025, BPM-ja fitoi guvernator të ri, ndërsa në nivel shtetëror u shpall gjendje krize në sektorin e energjisë.
Kredia hungareze me vlerë prej 1 miliard euro, pas paketës së parë prej 500 milionë eurosh nga Banka Hungareze e Eksport-Importit, pasuan edhe 500 milionë euro të tjera, përsëri nga Budapesti – të destinuara për shlyerjen e borxheve të prapambetura në bazë të një eurobondi. Me këtë, Hungaria e “betonoi” pozicionin e saj si partner i ri strategjik i Maqedonisë. Në vitin që tashmë kaloi, vendi fitoi edhe një partner tjetër strategjik, Mbretëria e Bashkuar garantoi për kredinë e re prej 6 miliardë eurosh, shumë që do të shpenzohet për projekte infrastrukturore dhe investime në shëndetësi.
Gjatë vitit të kaluar 2025 sfida dhe rreziku më i madh ishte inflacioni, i cili, në disa raste, në bazë vjetore, tejkaloi vlerën prej 4% . Në muaj të caktuar, shteti futi masa “administrative” për të ngrirë dhe për të rregulluar marzhat, por gjithashtu bëri edhe “testime” përmes shportave të konsumit për “festat”, atë “të shtatorit” dhe “të vjeshtës”. Ndërsa çmimet po rriteshin, sindikatat po “bënin presion” për një rritje të jashtëzakonshme të rrogave deri në ditën e fundit të vitit 2025.
“Viti 2025 ishte viti i stabilizimit. Inflacioni u qetësua, por nuk u rikthye në nivelet e dëshiruara. Rritja ekonomike ishte e moderuar, por jo edhe transformuese. Politika monetare mbeti një spirancë e qëndrueshme në ekonomi, ndërsa ana fiskale u përball përsëri me kufizime. Në një masë të madhe, ky vit u shënua nga një përpjekje për t’u rikthyer në normalitet pas një periudhe të trazuar, por pa ndryshime të mëdha strukturore që do ta ngrinin ekonominë në një shpejtësi më të lartë”, thotë për Portalb.mk profesori i ekonomisë, Sinisha Naumovski.
Viti 2025 ishte viti i parë i plotë ekonomik i Qeverisë, i cili filloi me plane ambicioze për investime publike me peshë mbi 700 milionë euro, deficit buxhetor prej 3%, inflacion prej 2,8% dhe rritje ekonomike prej rreth 3,7%. Qeveria pas zgjedhjeve bëri ribalancimin e buxhetit, shpenzimet kapitale u ulën, vlerësimet e inflacionit u rritën në 3,9%, ndërsa të rritjes ekonomike ranë në 3,5%. Ndërsa qeveria siguroi se ekonomia ishte e qëndrueshme dhe paratë publike po shpenzoheshin në mënyrë të disiplinuar dhe transparente, Brukseli në Raportin e Progresit të KE-së për Maqedoninë adresoi vërejtje serioze në lidhje me politikën fiskale, nevojën për konsolidim fiskal, një mekanizëm për mbledhjen më të mirë të të ardhurave buxhetore, duke vënë në dukje rritjen lineare të pensioneve për 2,500 denarë, borxhin publik të stabilizuar, por ende të lartë.
Ekonomia u përball gjithashtu edhe me rreziqe të brendshme dhe të jashtme, thonë analistët.
“Nëse flasim globalisht, atëherë padyshim janë luftërat “tarifore” që SHBA-të i nisën me disa vende në botë. Megjithatë, duket se gjërat po qetësohen gradualisht, gjë që e zvogëlon pasigurinë, të paktën nga ky aspekt. Ulja e përqindjes së kamatave nga BQE-ja dhe Rezervat Federale të SHBA-ve, të cilat tregojnë se edhe viti 2026 do të jetë relativisht i favorshëm për investime, për shkak të çmimit më të ulët të parasë. Megjithatë, duhet të përmend këtu se vazhdimisht rikthehet tema e inflacionit, ashtu si edhe konflikti ushtarak në Ukrainë, i cili kohët e fundit është shndërruar në një Luftë të Ftohtë të vërtetë midis BE-së dhe Rusisë. Të gjitha këto gjëra vazhdojnë edhe në vitin 2026, kështu që optimizmi i kujdesshëm është diçka që do ta prisja nga investitorët”, thotë për Portalb.mk ekonomisti Jovan Despotovski, ish-funksionar i lartë.
Përveç me inflacionin si temë dhe rrezik dominues, në vitin 2025 u përballëm edhe me shpalljen e gjendjes së krizës në sektorin e energjisë për shkak të mungesës së mazutit dhe u mor vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Në maj të vitit 2025, Banka Popullore fitoi guvernator të ri, Trajko Sllaveski erdhi në vend të Anita Angellovska Bezhovskës. BPM-ja në vitin 2025 udhëhoqi politikë “të shtrënguar” monetare për shkak të ruajtjes së stabilitetit të monedhës vendase. Një nga ngjarjet më të rëndësishme ishte afera me ndërprerjen e pagesës së fondeve nga Programi IPARD 3 për shkak të zbulimit të një skandali të korrupsionit në krye të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi.
Në vitin e kaluar, sipas Qeverisë, është arritur rritje ekonomike që e vendos vendin midis tre ekonomive kryesore evropiane, ndërsa sipas bllokut të opozitës, viti 2025 është një vit i kolapsit ekonomik në të cilin standardi i jetesës së qytetarëve është përkeqësuar edhe më shumë.