Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.V., për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, pas një hetimi disa mujor.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri A.V., në cilësinë e Agjentit Rezident, dyshohet se nga një datë e pacaktuar deri në arrestimin e tij më 26 qershor 2024, ka mbledhur dhe ka dërguar tek Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (BIA) dokumente dhe informacione të ndjeshme që rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, përfshirë jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve.
Provat e siguruara tregojnë se A.V. kishte krijuar një rrjet informatorësh nga radhët e të punësuarve në organizata ndërkombëtare në Kosovë, kryesisht të nacionalitetit serb, nga të cilët siguronte informacione politike dhe të sigurisë. Ai gjithashtu kishte përpiluar të dhëna për qytetarë serbë në Kosovë, me qëllim që ata të paraqiteshin si bashkëpunëtorë të institucioneve të sigurisë kosovare, me pasoja të mundshme për jetën dhe sigurinë e tyre.
Informacionet e mbledhura, sipas aktakuzës, i janë përcjellë një zyrtari të lartë të BIA-së, R.G., shef i njërit prej qendrave të kësaj agjencie në Serbi, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve të drejtpërdrejta.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit nga Policia e Kosovës, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan pa leje një armë e tipit Crvena Zastava dhe një spërkatës me gaz lotsjellës, në kundërshtim me ligjin në fuqi.
Prokurori i rastit ka propozuar vazhdimin e paraburgimit ndaj A.V., deri në përfundimin e procesit gjyqësor, duke kërkuar që ai të shpallet fajtor për të dyja veprat penale dhe të detyrohet të paguajë shpenzimet e procedurës.