Bulevardi “Republika” është ndër zonat e para që ka marrë pamjen e tij të ndriçuar, me dekor modern, figura prej dritash dhe motive festive që krijojnë një shëtitore të ngrohtë e plot gjallëri.
Edhe Pazari i Vjetër, një nga atraksionet kryesore të qytetit, po zbukurohet me dekor tradicional dhe elementë të rinj që ndërthurin stilin e vjetër korçar me frymën bashkëkohore të festave. Sipas burimeve në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike, këtë vit është shtuar numri i instalimeve ndriçuese, ndërsa janë përzgjedhur motive të reja që të sjellin një pamje më të veçantë dhe tërheqëse.
Disa prej dekorimeve janë vendosur edhe në parqe, rreth rrotullime si dhe zonën këmbësore të qytetit, duke krijuar një atmosferë të bashkuar festive. Ndërkohë në fillim të muajit dhjetor, pritet edhe ndezja zyrtare e dritave të qytetit, një traditë që çdo vit shoqërohet me një ceremoni festive, muzikë dhe pjesëmarrje të madhe të qytetarëve.
Qytetarët e Korçës e kanë pritur me entuziazëm këtë atmosferë, të cilën shumë prej tyre e cilësojnë si fillimin e periudhës më të bukur të vitit. Me ritmet e përgatitjeve, Korça po kthehet sërish në një nga destinacionet më të dashura të festave në Shqipëri, duke premtuar një sezon të mbushur me ngjyra, dritë dhe atmosferë të ngrohtë për të gjithë.