Ky është takimi i shtatë mes dy skuadrave në gjithë historinë, edhe kur Serbia ishte Jugosllavi, me tanët që nuk kanë asnjë fitore; përjashto atë 0-3 në tavolinë më 14 tetorin e 2014 në Beograd, kur ekipi kuqezi u dhunua në fushë nga huliganët serbë. Kjo ndeshje quhet e braktisur nga UEFA dhe nuk futet në statistikat e dy skuadrave.
Serbia na ka mposhtur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim. Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuar. Takimi i sotëm është i treti mes dy skuadrave pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me tanët që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë. Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup. Megjithëse ndeshja luhet në Tiranë, kompanitë e basteve shohin më të favorizuar ekipin serb për të fituar.
Me Anglinë që shihet si favorite për vendin e parë, Shqipëria dhe Serbia duhet të garojnë për vendin e dytë që të dërgon në play-off për një shans bilete në finalet e Botërorit 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Tanët do duhet patjetër të marrin një fitore kundër Serbisë nëse duam të jemi për herë të parë në një Kupë Bote dhe sot është shansi i madh.
VLERA E SKUADRAVE – 108.55 milionë euro vlejnë në treg futbollistët e Shqipërisë që Sylvinho ka të gatshëm në këtë grumbullim. Më i shtrenjti është Asllani me 15 mln euro në ‘Transfermarkt’, ndjekur nga Broja me 12 mln euro, Muçi me 11 mln euro, Gjimshitit me 8 mln euro dhe Ismajli dhe Nedim Bajrami me 6 mln euro.
Nga ana tjetër Serbia vlen 245.9 mln euro sipas ‘Transfermarkt’, pra më shumë se dyfishi i vlerës së Shqipërisë. Emra si Milenkovic, Pavlovic, Samardzic, Mitrovic apo edhe Vlahovic janë yje në Serie A dhe jo vetëm.
RENDITJA NË FIFA – Në përditësimin e fundit, Shqipëria mban renditjen e 66-të në FIFA, ndërsa Serbia ndodhet në pozitën e 31-të.
SIGURIA – Për të mos u përsëritur ajo ‘deja vu’ e shëmtuar e Beogradit nga tifozët serbë më 14 tetorin e 2014, janë marrë të gjitha masat e mundshme me tre gardhe sigurie, 2 mijë forca policore, anti-dronë, qen kontrollues, kamera inteligjente, patrullime; si edhe bileta të personalizuara. Skuadra serbe mbërriti në Tiranë pas mesditës më 6 qershor dhe gjatë gjthë qëndrimit në Tiranë do ketë një trupë sigurie nga policia e shtetit dhe forcat speciale RENEA, për të shmangur çdo incident të mundshëm apo shfaqje të pakëndshme jashtë futbollit.
ARBITRI – UEFA ka vlerësuar maksimalisht këtë duel duke ia besuar gjykimin një trupe nga Italia me kryesor arbitrin Davide Massa. Si një ndër më të vlerësuarit në Serie A, Massa do ketë ndihmën e Filippo Melit dhe Ciro Carbones, ndërsa arbitër i katërt do jetë Fabio Maresca. Në VAR do jenë Aleandro Di Paolo me ndihmës Daniele Doveri. Kryesori Massa e ka gjykuar vetëm në një rast kombëtaren shqiptare. Në datën 16 nëntor 2015 ai vendosi drejtësi në miqësoren midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, e cila përfundoi me rezultatin 2-2 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.
TIFOZËT – 22 mijë zemra kuqezi do jenë sot në ‘Arenën Kombëtare’ dhe miliona të tjerë kudo ku ka shqiptarë, teksa ‘vullkani kuqezi’ pritet të mbushë Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Më shumë se 200 mijë ishte numri i kërkesave për të hyrë në stadium, ndërsa në rast të një tri pikëshi për tanët, e sigurt është se Tirana dhe jo vetëm do e gdhijë me festë. FIFA ka dënuar ekipin tonë pas ndeshjen kundër Moldavisë dhe një pjesë e tribunave pas porte (20 përqind) do mbushet me tifozë të përzgjedhur në luftën kundër diskriminimit. Kujtojmë se në këtë përballje nuk do ketë tifozë serbë në stadium, kjo pasi ata janë të dënuar nga FIFA për ndeshjen e radhës në udhëtim, duel që përkoi ky i Tiranës.
Formacioni i mundshëm – Portieri Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti do e ndjekin sfidën kundër Serbisë nga shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare”. Në bazë të rregullave të UEFA-s, trajneri Sylvinho do ketë të gatshëm 23 futbollistë për sfidën e sotme, teksa emrat më sipër janë të sakrifikuarit, duke qenë se braziliani grumbulloi 27 futbollistë për dy sfidat e qershorit, atë sot kundër Serbisë në Tiranë dhe pas tri ditësh përballjen në Letoni.
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ismajli (Ajeti, Kumbulla), Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami (Laçi); Hoxha, Asani, Broja Trajner: Sylvinho
Renditja në Grupin K

Pano Xhixho, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së tha në Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu se sfida kundër Serbisë nuk është si gjithë të tjerat. Gjithashtu, për dënimn që FSHF mori nga FIFA me bllokimin e 20 përqind të stadiumit për thirrjet raciste, Xhixho tregoi se tribunat pas porte do mbushen me tifozë familjarë dhe ata të Fun Club të Kombëtares.“Sfidën e Beogradit e përjetova si çdo shqiptar, isha në drejtim të ngjarjeve në Radio Televizionin Shqiptar. Si sot, me rrugët plot me tifozë dhe kuqezi nuk kemi qenë as në sfidën kundër Greqisë, të fituar në Tiranë.Tifozët dhe menaxhimi – Kërkesat kanë qenë shumë të mëdha, më shumë se 200 mijë. Është bërë si një datë historike, që kushdo të jetë atje. Si ata që me krenari thonë kam qenë në sfidën e Beogradit.
Dënimi nga FIFA për stadiumin – 20 përqind e stadiumit do jenë me familjarë. Do jetë Fun Clubi i Kombëtares, ka dhjetë vite që funksionon. Këta do jenë këtu, sepse kishim dënim nga FIFA për këtë duel. Secili aplikonte për katër bileta, një tifoz që aplikonte me familjen dhe aplikimi kishte një mbiemër për katër tifozë, ata kanë pasur prioritet për këtë zonë që u dënua nga FIFA, por nuk do mbetet bosh.
Çfarë ndeshje pret? Është një atmosferë që nuk ka nevojë për t’u ndezur më shumë sesa duhet. Kam ndjekur seancat dhe kam parë entuziazëm mes trajnerit dhe futbollistëve. Ndeshja kundër Serbisë nuk është si të tjerat dhe ka ngarkesë emocionale. Të kujdesemi mos u injektojmë emocione të tjera lojtarëve, sepse mbingarkohen. Lojtarët tanë nuk do e bëjnë këtë, janë profesionistë. Këtë e tregoi edhe Gjimshiti në komunikiin për mediet. Përtej diplomacisë, kjo nuk është një ndeshje si gjithë të tjërat.
Llogaritë – Për mua është e munduar që të dalim të dytët në grup dhe të shkojmë në Botëror. Jo më kot barazuam edhe me Kroacinë në Euro 2024 dhe bëmë mirë në fushë. Pse mos ta tentojmë kualifikimin. Me Anglinë e kemi ndeshjen e fundit në grup dhe është thuajse e kualifikuar. Rivali ynë është Serbia.
Grupi më i mirë i lojtarëve që kemi pasur? Po, është grupi më i mirë. Do doja që të kishin minuta më shumë, por kemi lojtarët më të mirë. Broja doja të luante më shumë, kemi një kapiten që ka ngritur trofe si Gjimshiti, apo Asllani që luajti në finalen e Champions League. Ismajli, Mitaj, Strakosha, Daku etj kanë cilësi”, tha Xhixho.
Ditmar Bicaj : Në Beograd isha mes tifozëve serbë, sot mendje të ftohtë dhe këmbët zjarr
Pritshmëritë – Ndryshe nga ndeshja në Elbasan, ku nuk ishim dinamikë në fushë, sot pres një sfidë të ngjashme si kundër Greqisë ku ishim shumë agresivë. Nëse ne presim pas rivalët, ata kanë shumë cilësi dhe një barazim do na bënte mirë. Mentaliteti i fituesit në fushë, kjo na duhet.
Këshilla – Të mbrojmë Vlahovic dhe Mitrovic sepse janë të mirë me kokë dhe na duhet të jemi vigjilentë sepse kundërshtarët kanë cilësi. Të kemi mendje të ftohtë dhe këmbët zjarr. Kjo është porosia ime”, tha Ditmar Bicaj.
Elseid Hysaj, ‘i mbijetuari’ i vetëm i mbrëmjes së Beogradit! Njihuni me heronjtë e Kombëtares 11 vite më parë

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot kundër Serbisë në Tiranë, sfidë kjo që vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Përballja më e famshme mes dy skuadrave dhe ajo që ka mbetur në histori daton më 14 tetor 2014 në Beograd, me sfidën që u mbyll pas vetëm 42 minutave pasi tifozët vendas u futën në fushë dhe dhunuan lojtarët e Shqipërisë.11 vite më pas dy skuadrat do përballen në një realitet thuajse të njëjtë sa i takon marrëdhënieve mes popujve, por këtë herë janë marrë masat që incidentet të jenë sa më të kufizuara, me 2000 efektivë policie dhe shërbimet e tjera shqiptare që do jenë në gatishmëri.Mbrëmjen e 14 tetorit 2014 në Beograd titullar për ekipin tonë ishte edhe Elseid Hysaj, mbrojtësi i djathtë që Giovanni de Biasi e hodhi në fushë nga minuta e parë. Thuajse 11 vite pas, vetëm Hysaj është “i mbijetuari” i gjithë atij ekipi, teksa do jetë i gatshëm për sfidën që luhet në qershor. Nga 23 emrat që de Biasi kishte grumbulluar asokohe, vetëm shkodrani vijon të jetë ende pjesë e Kombëtares.
Ndërkohë në krahun tjetër do jenë tre futbollistë serb që kanë qenë në atë mbrëmje. Portieri Predrag Rajkovic, mesfushori Nemanja Gudelj dhe sulmuesi Aleksandar Mitrovic vijojnë të jenë sërish aktiv për ekipin që sot drejtohet nga Dragan Stojkovic.
Lista e titullarëve dhe rezervave, Serbi – Shqipëri – 14 tetor 2014 në Beograd
VIDEO/ Pamjet e tmerrit në Beograd, si huliganët serbë dhunuan futbollistët e Shqipërisë 11 vite më parë

Më 14 tetorin e 2014 në stadiumin e Partizanit të Beogradit luhej Serbi – Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2016, ku Kombëtarja jonë siguroi pjesëmarrjen për herë të parë në një turne madhor.
Dueli në Beograd nuk përfundoi kurrë, pasi ndeshja u ndërpre pas 42 minutave lojë dhe huliganët serbë u futën në fushë duke dhunuar lojtarët tanë. Anglezi që gjykonte atë takim, Martin Atkinson, i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes dhe pas muajsh beteje në CAS, drejtësia sportive i dha tri pikë Shqipërisë dhe fitoren 0-3 në tavolinë.
Shenjat e atij takimi kanë mbetur ende dhe përballja e sotme mban shumë emocione në fushë dhe tribuna.
Sot për të shkruar historinë, Kombëtarja asnjë fitore në fushë kundër Serbisë

Statistikat dhe përballjet Shqipëri – Serbi:
Përballjet mes dy skuadrave datojnë që në 7 tetorin 1946 në një ndeshje në “Qemal Stafa” të Tiranës. Kombëtarja jonë mposhtej 2-3 nga ish-Jugosllavia e asaj kohe për Kampionatin Ballkanik. Po në Tiranë më 14 shtator 1947, Shqipëria humbiste sërish 2-4 nga ish-Jugosllavia. Ndeshja e radhës ishte në Beograd, me dy skuadrat që barazuan 0-0, më 27 qershor 1948.
Pas 19 vitesh dy skuadrat u përballën sërish në Tiranë më 14 maj 1967, me ish-Jugosllavinë që fitoi 0-2 në “Qemal Stafa” për kualifikueset e Europianit 1968. Në ndeshjen e kthimit në Beograd, ishin vendasit që fituan 4-0 kundër tanëve më 12 nëntor 1967.
Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dy skuadrat u përballën më 14 tetor 2014 në Beograd, në ndeshjen që Shqipëria e fitoi 0-3 në tavolinë, por që nuk quhet një fitore në fushë. Sfida e kthimit në “Elbasan Arena” u fitua nga Serbia 0-2 më 8 tetor 2015.
Në total, hiq fitoren 0-3 në tavolinë të Shqipërisë, Serbia na ka mposhtur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim. Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuarve. Duket se ka ardhur koha që Shqipëria të fitojë në fushë kundër Serbisë dhe ndeshja e radhës është pranë, edhe pse me shumë emocione.
Ishin shokë ushtrie 41 vite më parë në Prishtinë, njihuni me shqiptarin që bëri përkthyesin e Dragan Stojkovic në Tiranë! Përqafimi i përzemërt
Përpara se të ulej përballë gazetarëve, Stojkovic u përqafua përzemërsisht me Pleuratin, i befasuar që përkrah tij gjendej pikërisht njeriu me të cilin kishte kryer ushtrinë katër dekada më parë.
Në vitin 1984, Stojkovic kishte shkuar në Prishtinë si futbollist, sapo kishte fituar medaljen e bronztë olimpike në Lojërat e Los Angelos, ndërsa Himaduna punonte si producent televiziv në “TV Prishtina”. Siç tregon ai, trajneri aktual i Serbisë ishte shumë i dashur në Prishtinë, madje kishte disa privilegje nga komandantët e rreptë të kohës.
“U përshëndetëm ngrohtësisht. Stojkovic ishte në ushtri në Prishtinë bashkë me këngëtarin Alen Slavica. Rrinim shpesh bashkë. Kalonim kohë cilësore me të dhe me prindërit e Dragan. Ishte krejt logjike që, pas kaq vitesh, të përqafoheshim sërish me dashamirësi, – e nisi rrëfimin Pleurati. – E kujtoj gjithçka, kështu është jeta. Erdhi atëherë si i ri dhe shumë i sjellshëm, prindërit e tij gjithashtu njerëz të mirë. Nuk ishte i habitur që mori thirrje për në ushtri, ashtu ishte koha, ishte normale. Në Prishtinë kishte mbështetje nga eprorët dhe njerëzit që drejtonin gjithçka, prandaj edhe u vendos të qëndronte atje”, thotë mes të tjerash për “Blic” Pleurat Himaduna.
Emrat/ Sylvinho sakrifikon katër futbollistë, do e ndjekin sfidën me Serbinë nga tribunat
