Sa i përket merkatos, në Rrogozhinë nuk pritet të ketë zyrtarizime pa u mbyllur muaji maj, për vetë faktin se lojtarët që pritet të vijnë janë ende nën kontrata me ekipet e tyre.
Deri më tani emri më i lakuar është ai i sulmuesit Kastriot Selmani, që pritet të vijë nga ekipi i Dritës. Drejtuesit e kanë pranuar afrimin e tij, që mund t’i hapë rrugën ndonjë lëvizjeje në dalje në repartin ofensiv. Sakaq, janë lakuar edhe emrat e Rrok Tomës së Teutës apo Florjan Përgjonit të Tiranës, por gjithçka në këtë moment mbetet në kuadrin e fjalëve, pa konkretizuar ende asgjë.
Në të njëjtën kohë, një çështje e nxehtë mbeten edhe rinovimet, ku janë tre titullarë që u ka mbaruar kontrata: Albano Aleksi, Arbin Zejnullai dhe Edison Ndreca. Gjasat janë që me të tre të vijohet projekti i nisur, edhe pse për momentin nuk ka një firmë nën kontratë për zgjatjen e marrëveshjes mes palëve.
Në këtë moment, më afër akordit për një kontratë të re duket të jetë Aleksi, i cili është njëkohësisht edhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.