Në video të shihni pamjet në orët e mëngjesit të së dielës, në aksin rrugor Vlorë-Radhimë-Orikum, pas stuhisë që goditi Vlorën të shtunën mbrëma. Përgjatë gjithë rrugës dhe bregdetit shihen çadra të përmbysura, të cilat kanë përfunduar deri në rrugën kryesore, si dhe shezlongë të shkatërruar totalisht. Dëmtime kanë pësuar edhe pjesë të bareve dhe restoranteve buzë plazhit, të cilat janë përfshirë nga dallgët dhe era e fortë.
Si pasojë e kushteve të këqija atmosferike, janë shënuar dëme të konsiderueshme në biznese, në hapësirat e plazheve dhe në strukturat që nuk janë larguar në kohë, si çadrat dhe pajisjet e tjera. Janë raportuar gjithashtu dëmtime në fasadat e objekteve dhe në pemët dekorative përgjatë bregut.
Ndërkohë, mëngjesi i së dielës ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të kushteve të motit. Shiu ka pushuar dhe intensiteti i erës ka rënë. Në Vlorë ka dalë dielli dhe qytetarët po i rikthehen plazhit. Përmbytja e një nate më parë fatmirësisht ka kaluar pa dëme të mëdha në banesa apo biznese, dhe pa rrezik për banorët.
Lajmi i mirë është se reshjet e shiut kanë ndihmuar edhe në fikjen e zjarrit që kishte rënë në fshatin Vajzë të Selenicës.
Edhe në Durrës, pas motit të keq me erëra të forta dhe reshje të dendura, plazhet janë mbushur sërish me pushues e turistë, të cilët kanë zgjedhur të shfrytëzojnë kthjellimin e motit për t’u rikthyer pranë detit.
Policia ka bllokuar 20 mjete lundurues për shkelje të ndryshme gjatë një jave në të gjithë vendin. 8 prej tyre janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë.