Mjekë dhe personel mjekësor nga Rusia kanë qenë të përfshirë në torturimin e të burgosurve politikë, sipas një raporti të përgatitur nga një eksperte e OKB-së e mandatuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Mariana Kaçarova, raportuese speciale e OKB-së për gjendjen e të drejtave të njeriut në Federatën Ruse, tha se ka dokumentuar të paktën 50 raste të tilla abuzimi.
“Fatkeqësisht, represioni në Rusi po intensifikohet”, deklaroi ekspertja bullgare gjatë prezantimit të raportit të saj. Kaçarova përshkroi një sistem shtetëror të bazuar në frikë dhe ndëshkim, ku të burgosurit politikë përndiqen, torturohen, heshten dhe i nënshtrohen trajtimeve psikiatrike të detyruara. Ligjet kundër terrorizmit përdoren gjithnjë e më shpesh kundër disidentëve: “Shumë ndodhen në burg jo për krime, por për guxim”, shtoi ajo.
Kaçarova tha se ka biseduar me mbi 200 organizata ruse dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ka marrë gati njëqind raporte të shkruara. Rusia nuk ka bashkëpunuar në hetim, deklaroi Ministria e Jashtme e Moskës përpara sesionit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut.
Kaçarova tregoi rastin e një ushtari ukrainas të plagosur në robëri. Një mjek kreu siç duhet ndërhyrjen kirurgjikale, por më pas i shënoi barkun me fjalët “Lavdi Rusisë”. Në raste të tjera, personeli mjekësor ka qenë i përfshirë aktivisht në tortura me elektroshok dhe u ka dhënë udhëzime torturuesve mbi procedurat. Mjekët kanë asistuar në rrahjet dhe abuzimet ndaj të burgosurve. Të tjerë të arrestuar iu nënshtruan trajtimeve psikiatrike të detyruara.
Nga fillimi i vitit 2024 deri në mesin e vitit 2025, të paktën 912 persona janë akuzuar për arsye politike, dhe 390 prej tyre ndodhen në arrest, thuhet në raport. Shumë janë arrestuar për protesta paqësore kundër luftës në Ukrainë.
Këshilli i të Drejtave të Njeriut përbëhet nga 47 shtete anëtare, secili i zgjedhur për mandate trevjeçare nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Këshilli mund të emërojë me votim ekspertë të pavarur për të raportuar mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në vende të caktuara, rajone ose mbi tema specifike.