Projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i miratuar në qershor nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, për momentin gjendet në Komisionin e Venedikut, institucion ky që duhet të jep mendim për kualitetin e ligjit. Zgjidhja ligjore, nga ana e RMV-së, i është dorëzuar komisionit më 11 korrik 2025 duke kërkuar nga ata mendim urgjent mbi këtë ligj. Nga ky komision për Portalb.mk thonë se shqyrtimi i ligjit është caktuar të bëhet në tetor, në seancë plenare. Por, siç thanë nga ky instititucion, ka gjasa të shyqrtohet dhe më herët në rast se organi kërkues (Qeveria e RMV-së) mund të dëshmojë se pse pritja deri në tetor nuk është e përshtatshme, shkruan Portalb.mk. Zgjedhjet lokale në vend, pritet të shpallen më 19 tetor 2025.
Pas shfuqizimit të “Balancuesit” në Maqedoni, gati një vit nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Për këtë problem, dita-ditës kemi reagime nga opozita se shqiptarët po anashkalohen për t’u punësuar bashkëqytetarët maqedonas. Nga ana tjerët, partia shqiptare në pushtet i mohon këto akuza duke spikatur dhe Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Por, ky ligj i cili u premtua para një viti ende është në formën e projektligjit dhe pret aminin e Komisionit të Venedikut.
Siç bëjnë të ditur nga Komisioni i Venedikut për Portalb.mk, vlerësimi i tyre do të paraqitet për miratim para komisionit në seancën e 144-të, 9-10 tetor 2025, që i bie një javë para zgjedhjeve lokale që pritet të shpallen më 19 tetor, 2025.
“Me anë të letrës më datë 11 korrik 2025, z. Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kërkoi Mendim urgjent nga Komisioni i Venedikut të Këshillit të Evropës mbi projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mendimi do të paraqitet për miratim në seancën e 144-të plenare të Komisionit të Venedikut (9-10 tetor 2025)”, konfirmuan për Portalb.mk nga sektori i mediave në Këshillin e Evropës.
Por ka gjasa që shqyrtimi të bëhet më herët se në tetor. Sipas Nenit 14a të Rregullores së Procedurës së Komisionit të Venedikut: “në raste të jashtëzakonshme, kur autoritetet ose organi kërkues mund të justifikojnë se pritja për seancën plenare të ardhshme nuk do të ishte e përshtatshme, me autorizimin e Komisionit ose të Byrosë, në konsultim me raportuesit, mendim urgjent mund të nxirret dhe publikohet para se të shqyrtohet nga Komisioni në seancë plenare.”
Vendimi për Mendim nga Komisioni i Venedikut
Kujtojmë se, kryeministri i RMV, Hristijan Mickoski, ende pa u miratuar në qeveri zgjidhja ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat kishte paralajmëruar se për të njëjtën do të kërkojë Mendim në Komisionin e Venedikut.
“Normalisht, do të presim mendim nga Komisioni i Venedikut, dhe të shohim, nëse kemi bërë diçka mirë, menjëherë e lëshojmë në procedurë parlamentare”, pati thënë kryeministri.
Pas deklaratës së kryeministrit, reagoi Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit duke shprehur shqetësim për zvarritjen e miratimit të Ligjit. Partia kritikoi planin e qeverisë, për ta dërguar fillimisht ligjin në Komisionin e Venedikut, duke e cilësuar këtë si taktikë bllokuese nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e koalicionit VLEN.
Ligji u përpilua pa transparencë dhe me koordinim partiak
Portalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.
Në mungesë të transparencës nga bartësit politik të procesit, zëvendëskryeministrave të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai dhe Izet Mexhiti, redaksia jonë ishte detyruar në disa raste për pyetje që kanë të bëjnë me procesin e përpilimit të draft ligjit t’i drejtohet për ndihmë Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik.
Pikërisht me ndihmën e Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik erdhëm edhe deri të përgjigjet se zgjidhja ligjore për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Maqedoninë e Veriut është përpiluar pa vendim formal për formim të grupit punues, pa plan të punës, me koordinim vetëm në suaza partiake, pa raport dhe pa procesverbale.
Kjo zgjidhje nuk doli të jetë e mangët vetëm teknikisht. Profesori universitar Mersin Maksuti si anëtar i grupit punues ka publikuar katër vërejtje rreth ligjit.
Për disa drejtësi historike, për të tjerë mashtrim i sofistikuar
Për koalicionin shqiptar në qeveri – VLEN, ligji do të sjellë drejtësi historike, kurse opozita shqiptare ka reaguar duke e quajtur mashtrim të sofistikuar që relativizon të drejtat kolektive, që nuk ka mekanizma të fuqishëm zbatimi dhe mungesë përgjegjësie juridike.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.