Një mesazh i gjetur në celularin e një prej të arrestuarve gjatë aksionit Shqipëri-Kosovë në Dhjetor të vitit të shkuar kundër trafikut të armëve, zbuloi përfshirjen edhe të 10 personave të tjerë të cilët u prangosën të premten.
Pas zbërthimit të komunikimeve, agjentët e Policisë së Tiranës mbajtën nën vëzhgim anëtarët e tjerë të grupit, për ti goditur në operacionin “Puzzle”.
Gjatë 5 muajve, hetuesit arritën të dokumentojnë nëpërmjet dronëve raste të transportit dhe shkëmbimit të armëve.
Nuk munguan as blerjet e simuluara nga ana e policisë për të vërtetuar implikimin e të dyshuarve në trafikun e armëve.
Gjatë aksionit policia arriti të sekuestrojë 14 armë zjarri, 12 prej të cilave të llojit pistoletë dhe dy të tjera armë të gjata të llojit automatik, krehra dhe municion luftarak. Policia gjeti edhe mbi 2 mijë fara kanabisi, 3 automjete dhe 8 celularë.
Armët që trafikoheshin ishin të gjitha modele të reja evropiane, armë që trafikoheshin në Kosovë dhe në Shqipëri.
Pistoletat kryesisht kalonin kufirin nga vendet e BE drejt vendit tonë me makina të rastit që fshiheshin në pjesën e motorit, ose me autobusë ku fshiheshin në valixhe apo vende të tjera.
Në vendin tonë pistoletat shiteshin nga 1500 deri në 2500 Euro. Njëra prej tyre, me silenciator, do të shitej mbi 3000 Euro.