Një përplasje mes galaktikës sonë, Rruga e Qumështit, dhe fqinjës së saj më të madhe, galaktikës Andromeda, e parashikuar të ndodhë për rreth 4.5 miliardë vjet, është pritur nga astronomët që nga viti 1912. Megjithatë, kërkime të reja sugjerojnë se mundësia e kësaj përplasjeje galaktike, e quajtur “Milkomeda”, është më e vogël se sa mendohej, raporton CNN.
Rruga e Qumështit dhe Andromeda po afrohen me një shpejtësi rreth 100 kilometra për sekondë. Por Grupi Lokal – “lagjja” jonë në univers – përfshin rreth 100 galaktika më të vogla. Një ekip astronomësh mori në konsideratë disa prej këtyre, përfshirë Reja e Madhe e Magelanit (LMC) dhe galaktikën Triangulum (M33), për të parë rolin që ato mund të luajnë në të ardhmen e galaktikës sonë në 10 miliardë vitet e ardhshme.
Pas 100,000 simulimesh me të dhëna të reja nga teleskopët Hubble dhe Gaia, u zbulua se ka një mundësi rreth 50% që Rruga e Qumështit dhe Andromeda të përplasen në 10 miliardë vitet e ardhshme. Ka vetëm rreth 2% mundësi që të ndodhë përplasja në 4-5 miliardë vite, siç mendohej më parë.
Nëse ndodh, përplasja do të shkatërronte të dyja galaktikat, duke formuar një galaktikë të vetme, më të gjatë, me formë eliptike. Gjatë këtij procesi, një sasi e madhe gazi do të drejtohet drejt qendrës dhe do të ushqejë vrimën e zezë supermasive, duke prodhuar rrezatim të madh para se të përpijë gjithçka.
Por, sipas studiuesve, ka shumë faktorë të panjohur që e bëjnë të vështirë parashikimin e saktë të së ardhmes.
Në fakt, ka më shumë mundësi që Rruga e Qumështit të përplaset me LMC brenda 2 miliardë viteve, gjë që do të ndryshonte ndjeshëm galaktikën tonë, duke ndikuar në veçanti në vrimën e saj të zezë qendrore dhe në halon galaktike.
Galaktikat M33 dhe LMC kanë ndikim gravitacional të mjaftueshëm për të ndryshuar trajektoren e Rrugës së Qumështit, duke ulur shanset për përplasje me Andromedën. Simulimet përfshinë 22 variabla, përfshirë paqartësitë në pozicionet, lëvizjet dhe masat aktuale të galaktikave.
Në më shumë se gjysmën e simulimeve, Rruga e Qumështit dhe Andromeda kaluan pranë njëra-tjetrës, humbën energji orbitale dhe më pas u përplasën pas disa miliarda vitesh. Në rast tjetër, u afruan por nuk u përplasën.
E ardhmja e Tokës?
Sipas NASA-s, Dielli do të fillojë të vdesë pas rreth 5 miliardë vitesh, duke u zgjeruar si një gjigant i kuq dhe mund të gëlltisë Tokën. Kjo do të ketë ndikim më të madh në Tokë se sa përplasja galaktike.
Edhe pse fati i galaktikës sonë mbetet i pasigurt, studimi tregon se “dënimi i sigurt” i saj për t’u përplasur me Andromedën nuk është aq i pashmangshëm sa besohej.