nga Mustakim Hasnath
Shkencëtarët në Britani thonë se njerëzit e lashtë mund të kenë mësuar të bëjnë zjarr shumë më herët nga sa besohej më parë, pas zbulimit të provave se ndezja e qëllimshme e zjarrit ka ndodhur në atë që tani është Anglia lindore rreth 400.000 vjet më parë.
Gjetjet, të përshkruara në revistën Nature, e shtyjnë më pas datën më të hershme të njohur për prodhimin e kontrolluar të zjarrit me rreth 350.000 vjet. Deri tani, provat më të vjetra të konfirmuara vinin nga vendbanime neandertale në atë që sot është veriu i Francës, të datuara rreth 50.000 vjet më parë.
Zbulimi u bë në Barnham, një vend paleolitik në Suffolk, i cili është gërmuar për dekada. Një ekip i udhëhequr nga Muzeu Britanik identifikoi një zonë balte të pjekur nga nxehtësia, sëpata guri (flint hand axes) të çara nga nxehtësia ekstreme dhe dy fragmente të mineralit hekur-pirit, një mineral që prodhon shkëndija kur goditet me flint.
Studiuesve iu deshën katër vjet analiza për të përjashtuar mundësinë e zjarreve natyrore. Testet gjeokimike treguan se temperaturat kishin kaluar mbi 700 gradë Celsius (1,292 Fahrenheit), me prova të djegies së përsëritur në të njëjtin vend.
Fotografia: Zbulimi i fragmentit të parë të hekur-piritit në vitin 2017, në Barnham, Suffolk, Angli.
Kredite: Jordan Mansfield/Pathways to Ancient Britain Project via AP
Kjo mënyrë djegieje, thonë ata, është në përputhje me një vatër të ndërtuar qëllimisht dhe jo me një goditje rrufeje.
Rob Davis, arkeolog paleolitik në Muzeun Britanik, tha se kombinimi i temperaturave të larta, djegies së kontrolluar dhe fragmenteve të piritit tregon “se si ata në të vërtetë po e prodhonin zjarrin dhe fakti që po e bënin vetë atë”.
Hekur-piriti nuk gjendet natyrshëm në Barnham. Prania e tij sugjeron se njerëzit që jetonin atje e mblidhnin qëllimisht sepse e kuptonin vetinë e tij për të prodhuar shkëndija dhe diçka për të ndezur zjarrin.