Krisel Leka, 16 vjeçari nga Durrësi është kthyer nga Australia me një përvojë unike. Ai fitoi çmimin e Nderit në Olimpiadën Botërore të Matematikës.
Megjithatë, Kriseli kishte objektiv të shpallej ne tre më të mirët në botë. Ai e pranon se konkurrenca ishte e fortë, por kjo vetëm sa e motivon për të ardhmen.
Për të arritur deri tek olimpiada boterore, rruga ka qenë e gjatë. Ai ka marrë pjesë në olimpiada kombëtare e rajonale, si në Kosovë dhe Bosnjë, duke marre shpesh medalje.
Synimi i radhës për Kriselin është Olimpiada Botërore e Matematikës që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Pekin te Kinës. Ai ka nisur tashmë përgatitjet, me shpresën se do të kalojë me sukses testet e seleksionimit të ekipit kombëtar.
Përpos pasionit për matematikën, 16-vjecari i kushton kohe dhe sportit, një aleat që sipas tij e ndihmon të jetë më i kthjellët. Tregon se merret me qitje dhe peshëngritje, ndërsa gjatë verës ushtron edhe notin në pishinën e qytetit.
Për të, rezultatet në olimpiada janë një bonus i madh që mund ta ndihmojnë të ndjekë studimet në një nga universitetet më të njohura të botës. Edhe pse angazhimi me shkollën dhe përgatitjet në matematikë ia lënë pak kohë të lirë, Kriseli pranon se nuk i ka shpëtuar plotësisht “epidemisë” së rrjeteve sociale, ndonëse i përdor më pak se bashkëmoshatarët e tij.
Olimpiada e 66-të Ndërkombëtare e Matematikës – IMO 2025 që u mbajt në Australi është një kompeticion prestigjioz me 650 nxenes pjesëmarrës nga 110 shtete të botës. Ekipi shqiptar ka arritur edhe këtë vit rezultate të mira. Nxënësi Marius Gjika u shpërblye me medaljen e Bronzit, ndersa nxënësit Jamarbër Rushitaj dhe Krisel Leka me Medalje Nderi.