Në pjesën e parë të këtij viti u duk se eksportet po rikuperoheshin, pas tendencës rënëse të dy viteve të kaluara. Të dhënat zyrtare treguan se për 7 mujorin, eksportet në total ishin 238.5 miliardë lekë, me një rritje prej 2.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në korrik, eksportet ishin 35.2 miliardë lekë, me zgjerim 5.7%.
Një pjesë e madhe e rikuperimit lidhej me rritjen e fortë të shitjeve drejt Kosovës, të cilat u zgjeruan me 72.5% për 7 mujorin. “Monitor” ka mësuar se nuk kemi të bëjmë me rritje reale, por thjesht me ndryshimin e metodologjisë, pasi që nga 1 janari 2025 tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri eksporte. Si rrjedhojë, kapitulli “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre” drejt Kosovës ishte 26.4 miliardë lekë në janar-korrik 2025, nga 2.7 miliardë lekë në janar-korrik 2024, me një rritje prej 864%, ose 23.6 miliardë lekë më shumë. Nëse hiqet efekti i tranzitit, rritja do të ishte 12% dhe ky grup do të rezultonte vetëm 3 miliardë lekë.
Nga riklasifikimi i tranzitit edhe si eksporte, eksportet drejt Kosovës janë shtuar edhe me 23.3 miliardë lekë, që në fakt nuk është një rritje reale.
Për 7 mujorin 2024, eksportet në total ishin 232 miliardë lekë, sipas INSTAT.
Si rrjedhojë, duke hequr shifrën e tranzitit të karburanteve drejt Kosovës, për janar-korrik 2025, eksportet janë tkurrur me 7.4%, duke vijuar me tendencën negative.
Ndoshta INSTAT, kur raporton të dhënat duhet ta ndajnë, ose të bëjnë një shënim për shifrën e rieksporteve drejt Kosovës, pasi do të krijojë një ide të gabuar për ecurinë reale të shitjeve jashtë vendit, teksa institucionet zyrtare po reklamonin përmirësimin e situatës së eksporteve në vend!/Monitor