Në Parkun Olimpik të Tiranës po numërohet vota e ardhur nga Greqia, pas vendimit të KQZ që zhbllokoi procesin e mbetur peng pas kontestimeve të PD. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat, foli për herë të parë pas nisjes së numërimit të votave të ardhura nga shteti helen, ndërsa pyetjes së gazetarëve për pretendimet e PD, ai iu përgjigj duke më thënë se deri tani në KQZ nuk është depozituar asnjë provë.
“Procesi s’ka përfunduar, nëse dikush ka pretendime të tjera shtesë do shqyrtohen dhe vlerësohen. KQZ nuk i është paraqitur asnjë provë në lidhje dhe me pretendimet e bëra publike. Prova në KQZ nuk janë paraqitur, por koha për t‘i paraqitur nuk ka përfunduar. Subjekti zgjedhor që ka kontestuar për rezultatin, të paraqesë pretendimet për shkelje e ligjit dhe provat dhe më andej do të vlerësohet nga instancat që ekzistojnë apo jo pretendime dhe se sa këto shkelje të ligjit kanë ndikuar në rezultat”, theksoi Celibashi.
Pavarësisht vendimit të KQZ, që PD e ka animuar në KAS, numëruesit e PD po i numërojnë votat por thonë se do të kontestojnë çdo votë të ardhur nga Greqia dhe do të kërkojnë që të mos përfshihen në rezultatin e zgjedhjeve. PD pretendon se zarfet nuk janë dorëzuar personalisht te votuesi dhe nuk janë kthyer personalisht nga ai. Për këto pretendime të PD, Celibashi njoftoi se DHL i është përgjigjur edhe kërkesës së tij për shpjegime dhe se brenda 22 majit kjo kompani postare do t’i vë në dispozion dokumentin e firmave për dorëzimin e zarfeve.