Numri i grave në Policinë e Kosovës vazhdon të jetë i ulur. Sipas statistikave të cilat i ka siguruar portali rtv21.tv nga Policia e Kosovës, numri i zyrtareve policore është rreth 14%, ndërsa ndërvite sipas këtij institucioni numri i zyrtareve policore është rritur.
Nga ana e njohësit të sigurisë këto statistika po shihen si të pa mjaftueshme, sipas tij numri i zyrtareve policore duhet të rritet në vazhdimësi.
Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci në një intervistë për portalin rtv21.tv ka thënë se shteti i Kosovës duhet të investoj më shumë për punësimin e grave në Policinë e Kosovës.
“Gratë në Policinë a Kosovës ose angazhimi i tyre në mbrojtje të qytetarëve pa dallim është krucial për Shtetin tonë. Megjithatë, statistikat na lënë të pyesim veten: është viti 2025, pse nuk shohim më shumë gra me uniformë në policinë tonë?, a duhet të rritet ky numër, pa dyshim se po a mjafton 14 % natyrisht se jo dhe numri duhet të rritet në vazhdimësi. Ne jemi dëshmitar që gratë mund të sjellin cilësi dhe përvoja unike jetësore në këtë punë fisnike. Shteti duhet të investoj në këtë aspekt më shumë dhe të bëjë më shumë”, tha ai.
Dashevci ka treguar një shembull të një zyrtare policore e cila e menaxhon regjionin e Mitrovicës, e njëjta sipas tij është shembull i zyrtareve policore.
“Shembull ka zyrtare policore që menaxhojnë edhe regjione, kemi kolonelen, në Mitrovicë, në një vend më specifik me situatë sensitive të sigurisë publike dhe kombëtare, dhe kolonelja që është drejtoreshë regjionale ka menaxhuar dhe menaxhon në mënyrë shembullore, 4 vite radhazi ka qenë me performancën më të suksesshme në vend dhe kjo është krenari për qytetarët sepse sjellë siguri dhe çdo gjë fillon nga siguria, dhe pa siguri nuk ka asgjë. Atëherë kur ka qenë koha më e rrezikshme ky qytet është menaxhuar në pjesën tjetër të lumit Ibër dhe në këtë pjesë këndej lumit me përkushtim dhe profesionalizëm maksimal nga e nderuara kolonele duke ju ekspozuar rreziqeve të ndryshme në 24/7 në shërbim të qytetarëve pa dallim, ngjyre, race ose etnie. Kolonelja është shembulli i grave police”, deklaroi ai.
Çka kontribuon rekrutimi i shumë grave në Policinë e Kosovës?
“Rekrutimi i më shumë femrave në Policin e Kosovës kontribuon në krijimin e një fuqie punëtore që pasqyron më mirë komunitetin të cilit i shërben dhe tek e fundit i shërben barazisë dhe demokracisë bashkohore. Kjo praktikë ka përparësi, duke përfshirë rritjen e legjitimitetit, performancës dhe besimit te qytetarët. Asgjë nuk ka dallime mes grave police dhe të tjerëve, ato edhe me kurset, ushtrimet, avancimet janë të njëjta me meshkujt zyrtarë dhe nuk ka dallime”, tha Dashevci.
Për rendin e sigurisë publike, ai thotë se çdo qytetar i Kosovës duhet të mbështesë dhe të ndihmojë zyrtaret policore gjatë punës.
“Për një mbarëvajtje të “suksesshme” të rendit dhe sigurisë publike, çdo qytetar i vendit tonë duhet të mbështesë dhe të ndihmojë femrat në punën e policisë. Gratë police dhe Policia e Kosovës në përgjithësi shpesh përceptohet si një “luftëtare kundër krimit,” por nuk mund të jetë e vetmja: krimi ka një etiologji komplekse dhe, për rrjedhojë, luftimi i tij kërkon veprim të koordinuar nga shërbime dhe institucione të ndryshme sociale”, tha njohësi i sigurisë.
Ndërkaq nga ana gjinore, drejtoresha e Programit për adresim të Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, Adelina Berisha, për pozitat e larta në Policinë e Kosovës siç janë drejtor i përgjithshëm apo zëvendës drejtor, referuar një hulumtimi i QKSS-së, ajo thotë se në Kosovë këto pozita dominohen nga burrat.
Ku shtoi se sfiduese mbetet edhe paragjykimi i grave që duan të angazhohen ne sektorin e sigurisë me stigmat që kjo detyrë është vetëm për burra dhe se gratë nuk kanë shkathtësi.
“Nga aspekti gjinor, ne kemi një përqindje jo të mirë të grave në Policinë e Kosovës. Një hulumtim i QKSS I vitit 2023, tregon se sidomos në pozita vendimarrëse, Brenda Policisë së Kosovës, përqindja është zero. Pra pozitat si drejtor i Përgjithshëm apo zëvendës drejtor janë pozita që mbahen nga burrat. Në anën tjetër sfida që i prekin gratë që duan të angazhohen ne sektorin e sigurisë janë të shumta, ato paragjykohen, ka stigma se kjo detyrë është vetëm për burra, se gratë nuk kanë shkathtësi, apo që të qenurit gratë dhe pritshmëritë që ato të krijojnë familje duket si pengesë në punën e tyre”, deklaroi Berisha për portalin rtv21.tv
Berisha e sheh të nevojshme që të krijohen mekanizma për gratë që të bëhen gratë staf i Policisë së Kosovës, kjo sipas saj ndikon duke ju dhënë grave mundësi për avancim në karrierë dhe lehtësi që ato të arrijnë të kenë një balancim në mes punës dhe jetës private.
Sipas saj në krahasim me dy dekada më herët, numri i grave në Policinë e Kosovës është rritur, 14% e grave të punësuara në polici sipas nuk është shifër e kënaqshme.
“Në krahasim me dy dekada me herët, përqindja e grave ne Policinë e Kosovës është rritur, po nuk nuk është e knaqshme, Ligji për Brazi Gjinor thërret për përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave ne çdo institucion, përfshirë edhe Policinë e Kosovës”, tha Berisha.
Krejt në fund ajo përmendi edhe sfidat me të cilat ballafaqohen viktimat e dhunës në stacionet ku nuk ka të punësuara zyrtare policore.
“Në anën tjetër, për viktimat e dhunës me bazë gjinore, është tejet e rëndësishme që të ketë gra police me të cilat ato mund të flasin më rehat dhe ti shprehi përjetimet e dhunës me bazë gjinore. Ne nga përvoja e kemi parë që ka stacione që nuk kanë police gra për të realizuar këto intervista, gjë që e ka bërë të vështirë prononcimin e grave”, përfundoi Berisha.