Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka një ditë angazhimesh institucionale në Itali. Gjatë ditës do të pritet nga Papa Leone XIV në Vatikan, për të vijuar me një takim me kryeministren Giorgia Meloni në Palazzo Chigi rreth orës 3:30 pasdite.
Lufta në Ukrainë është në qendër të të dy diskutimeve. Vetë Orbán shkroi në një postim në Facebook: “Ne duam të qëndrojmë larg ethes së luftës që po përhapet në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse, që nga shpërthimi i luftës ruso-ukrainase, ne kemi ndërtuar një koalicion kundër luftës”, shtoi ai, duke specifikuar se sot do t’i raportojë “Atit të Shenjtë dhe, më vonë, Kryeministrit italian mbi përpjekjet e Hungarisë”.
Ai gjithashtu kritikoi ashpër BE-në: “Ndërsa bota mësohet me luftërat, ato bëhen gjithnjë e më të rrezikshme, si një zjarr në një ditë përvëluese vere. Nëse nuk bëjmë asgjë, herët a vonë flakët do të arrijnë në vendin tonë, në shtëpitë tona dhe në të ardhmen e fëmijëve tanë. Nëse duam të ruajmë paqen në Hungari, nuk mund të notojmë me rrymën e Brukselit.”
Çështja e sanksioneve mbi naftën ruse
Disa qeveri evropiane e konsiderojnë Melonin të aftë për të luajtur një rol ndërmjetësues në çështjen e ndërlikuar të sanksioneve të BE-së kundër naftës ruse, një çështje për të cilën Orbán – i cili gjithmonë ka mbajtur pozicione pranë Moskës – është plotësisht kundër. Çështja e sanksioneve u trajtua të premten, më 24 tetor, në tryezën e rrumbullakët të të Vullnetshmëve, të thirrur nga kryeministri britanik Keir Starmer, në të cilën Meloni mori pjesë nëpërmjet videokonferencës. Ajo riafirmoi rëndësinë e një qëndrimi të bashkuar evropian, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë ndërmarrë veprime kundër naftës ruse.
Meloni në qendër midis Hungarisë dhe BE-së
Takimi midis Melonit dhe Orbánit, mesa duket, ka dhe bekimin e aleatëve të tyre, në një përpjekje për të mbajtur një kanal të hapur me Budapestin mbi zhvillimet në përgjigjen evropiane ndaj Moskës. Dhe për të siguruar që BE-ja, kur duhet të merren vendime të rëndësishme, të ecë përpara me unitet maksimal. Vlen gjithashtu të përmendet se Meloni ndan pikëpamjen e Kryeministrit hungarez për ruajtjen e kërkesës së unanimitetit për vendimet e Këshillit Evropian mbi çështje të ndjeshme, siç është politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë (e cila përfshin edhe vendimet mbi sanksionet).