Nga Samiti i Tiranës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi përkushtimin e palëkundur të vendit të saj në rrugën drejt integrimit evropian, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që të veprojë me më shumë vendosmëri dhe drejtësi.
“Ishin të njëjtat mesazhe që i dhashë edhe para mediave: Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane. Kjo dëshmohet përmes veprimeve konkrete, në cilësinë e reformave që i bëjmë çdo ditë,” u shpreh Presidentja Osmani për Raporto24.
Ajo shtoi se është koha që edhe BE-ja të japë sinjalet e qarta politike për vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë përmbushur kriteret dhe po punojnë seriozisht në drejtim të integrimeve.
“Presim nga Bashkimi Evropian që të mos mbetet vetëm në fjalë. Tani është koha që Evropa të veprojë me vendosmëri dhe të shpërblejë përpjekjet e sinqerta të vendeve si Kosova, që kanë treguar angazhim real në rrugën e reformave dhe demokratizimit,” theksoi Presidentja.