Pas pesë vitesh në krye të shteti, Vjosa Osmani, pasditen e sotme do e dorëzojë detyrën e presidentes. Nga ceremonia e cila është paraparë të fillojë nga ora 16:00, këtë detyrë si ushtruese e saj, do ta marrë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, shkruan Gazeta Express.
Osmani qe pesë vite me parë mori detyrën me përkrahjen e Vetëvendosjes, s’arriti të siguronte edhe një mandat të dytë, anipse, dëshirën për një gjë të tillë e kishte shprehur haptazi.
Çështja e presidentit është tema kryesore e diskutimeve në sferën politike, qe nga zgjedhjet e fundvitit të kaluar.
Edhe pse vazhdimisht pjesë e debateve e diskutimeve, kjo çështje ende s’ka gjetur zgjidhje. Deputetët, siç vendosi Kushtetuesja pak ditë më parë, kanë afat afërsisht deri në fund të këtij muaji për të zgjedhur kryetarin e ri të shtetit, përndryshe, vendi shkon në zgjedhje.
Arsyeja e ngërçit sigurisht është mungesa e numrave nga cilado palë në këtë rast. Vetëvendosja që ka bërë tashmë dy propozimet e saj, Glauk Konjufca e Fatmire Kollçaku, s’ka deputetët të mjaftueshëm që të procedojë tutje me zgjedhjen e të parit të vendit.
Në anën tjetër, opozita gjatë tërë kohës ka bërë thirrje për kandidat konsensual. Kësisoj, ata kanë refuzuar që të votojnë kandidatët e VV’së.
Megjithatë, i pari i ekzekutivit ka paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme do të takohet me liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për diskutime rreth kësaj çështjeje.
Për këtë të fundit, Lutfi Haziri, mbrëmë konfirmoi se Lumir Abdixhiku, do ta takojë Kurtin në mëngjesin e së hënës. Në anën tjetër, ende s’ka datë të njoftuar për një takim mes Kurtit dhe Bedri Hamzës së PDK’së.
Këto s’do të jenë takimet e vetme, pasi që këta tre në takime ndaras janë takuar edhe javë më parë, porse, takime të cilat, s’prodhuan rezultat.