Mes lotësh për gjithë vështirësitë që ka kaluar në jetë, sulmuesi i PSG-së dhe Francës, Ousmane Dembele, pranoi trofeun e ‘Topit të Artë’ 2025. Fituesi i katër trofeve me PSG-në, mes të cilëve dhe Champions League, Dembele la pas në vendin e dytë Lamine Yamal, talentin e Barcelonës.
Trofeu për 28-vjeçarin u dha nga një legjendë si Ronaldinho, që për vete e ka fituar këtë trofe në vitin 2005. I rritur vetëm nga e ëma mes sakrificash, Dembele pasi falenderoi gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, u përlot kur përmendi familjen. Edhe e ëma e tij u ngjit në skenë duke pasur një takim të ngrohtë me të birin. Me një karrierë te Rennes, Dortmund, Barcelona dhe PSG, Dembele bëhet francezi i parë pas Zinedine Zidane në 1998 (me Juventusin) që fiton trofeun e ‘Topit të Artë’. Edicionin e kaluar, Dembele realizoi 35 gola dhe dhuroi 16 asistime në të gjitha garat.
Vendin e dytë nga votat e gazetarëve për këtë trofe e siguroi 18-vjeçari Lamine Yamal, që mori edhe trofeun ‘’Kapa’’ si talenti më i mirë i vitit. Në vendin e tretë Vitinha i PSG-së.
Ndërkohë që në mbrëmjen gala të Parisit u akorduan edhe çmime të tjera. Futbollistja më e mirë për femra u shpall Aitana Bonmati e Barcelonës, me spanjollen që fitoi ‘Topin e Artë’ për të tretin vit radhazi. Trajneri i sezonit u shpall Luis Enrique i PSG-së, ndërsa po portieri që fitoi Champions League me PSG, Gianluigi Donnarumma u shpall si ‘Portieri më i mirë’.
Fituesi i ‘Topit të Artë’ u vendos nga votimet e 100 gazetarëve nga shtetet e renditura në 100 vendet më të mira sipas FIFA-s, përfshi edhe Shqipërinë.
Trofetë e akorduar:
Ousmane Dembele i PSG-së është fituesi i ‘Topit të Artë’ 2025 për meshkuj.
Aitana Bonmati e Barcelonës fiton trofeun e ‘Topit të Artë’ për femra për vitin e tretë radhazi.
Lamine Yamal ka fituar trofeun “Kopa”, i cili shkon për talentin më të mirë nën moshën 21 vjeç.
Sarina Wiegman ka fituar çmimin “Johan Cruyff” si trajnerja më e mirë e vitit.
Luis Enrique i PSG është zgjedhur si trajneri më i mirë i vitit. Ai mori trofeun “Johan Cruyff”, pasi mori plot katër trofe në sezonin e kaluar me ekipin e tij.
Gianluigi Donnaruma është fitues i trofeut “Yashin” si portieri më i mirë për vitin 2025.
Viktor Gyokeres u zgjodh si sulmuesi më i mirë i vitit 2025, pas sezonit të jashtëzakonshëm te Sporting Lisbona. Për femra, sulmuesja më e mirë u zgjodh Ewa Pajor nga Barcelona.
Arsenali është zgjedhur si klubi më i mirë i vitit për vajza.
PSG është zgjedhur si klubi më i mirë i vitit për meshkuj.
Renditja e Topit të Artë:
1 – Ousmane Dembele
2 – Lamine Yamal
3 – Vitinha
4 – Mohamed Salah
5 – Raphinha
6 – Achraf Hakimi
7 – Kylian Mbappe
8 – Cole Palmer
9 – Gianluigi Donnarumma
10 – Nuno Mendes
‘Topi i Artë’ jepet që nga viti 1956. Lionel Messi e ka fituar plot tetë herë, rekord absolut, ndërsa Cristiano Ronaldo e ka marrë pesë herë.