OVL-UÇK shpalos sot detajet e protestës së nesërme në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë
Sot me fillim nga ora 11:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të mbajë konferencë për media.
Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë kësaj konference, do të jepen detaje lidhur me përgatitjet për protestën e 7 gushtit.
Të enjten me fillim nga ora 17:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), ka thirrur protestë gjithëpopullore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër Gjykatës Speciale.
OVL UÇK synon të organizojë “protestë gjithëpopullore” në Prishtinë, nga ora 17:00, në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët që nga viti 2020 ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës, në kushte që OVL UÇK i konsideron të padrejta.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët kosovarë – Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli – dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.
Protesta e fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ishte zhvilluar nën organizimin e platformës “Liria ka emër” në prill 2023 në Prishtinë, në të cilën kishin marrë pjesë mijëra qytetarë që dolën në përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.