Mijëra antena satelitore, kondicionerë, kolektorë diellor, panele fotovoltaike dhe reklama ndriçuese deri në fund të vitit 2025 duhet të hiqen nga shtëpitë dhe objektet e tjera në pjesën e vjetër të Ohrit, në çarshinë e Ohrit dhe në shëtitoren e qytetit, sepse e shëmtojnë pamjen e kësaj pjese që është nën mbrojtje të rreptë. Bëhet fjalë për 561 objekte të tilla, ndërsa pronarët kanë alternativë, t’i vendosin ato në vende që nuk janë të dukshme nga jashtë.
“Kompetencat tona përfunduan me evidentimin e tyre. Bëmë evidentimin dhe përcaktuam prioritetet, ndërsa tani institucionet e tjera duhet të mendojnë se si do të hiqen. Ka objekte të tilla që janë të papërshtatshme, si panelet diellore apo bojlerët që e prishin pamjen e qytetit”, tha Goran Patçev – drejtor i Muzeut të Ohrit.
Patçev thotë se elaborati i përgatitur me të gjitha të dhënat është dorëzuar tek institucionet e tjera kompetente, të cilat duhet të ndërmarrin masat përkatëse. Ai thotë se janë njoftuar edhe pronarët e shtëpive.
“Besoj se misioni i ardhshëm i UNESCO-s sërish do ta shtrojë këtë çështje dhe në një të ardhme të afërt duhet të gjendet zgjidhje adekuate. Kemi edhe udhëzues për pronarët e objekteve në pjesën e vjetër të qytetit. Aty ka udhëzime se si duhet të sillen pronarët ndaj trashëgimisë kulturore”, shtoi Goran Patçev – drejtor i Muzeut të Ohrit.
“Kemi rekomandime që janë në letër, por duhet të jenë në terren. Pra, duhet të ndërmarrim aksione në përputhje me atë që tashmë dikush na ka thënë ta realizojmë. Thjesht, duhet të dalim nga zyrat në terren dhe rezultatet do t’i shohim jo vetëm ne, por edhe të tjerët”, u shpreh Sasho Korunoski – profesor në Fakultetin e Turizmit.
Bëhet fjalë për një nga kërkesat edhe të UNESCO-s, i cili pritet ta vizitojë rajonin në korrik dhe të konstatojë se çfarë nga vërejtjet i kanë realizuar autoritetet lokale dhe qendrore, e çfarë jo.