Parlamenti Evropian ka miratuar me shumicë dërrmuese në Strasburg një rezolutë që dënon shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore të disa vendeve të BE-së të regjistruara në javët e fundit, nga avionë dhe dronë rusë, si në Poloni dhe Estoni, ose me origjinë të paidentifikuar, si në Danimarkë. Rezoluta u miratua me 469 vota pro, 97 kundër dhe 38 abstenime.
Rezoluta dënon shkeljet e hapësirës ajrore dhe ndërhyrjen në infrastrukturën e BE-së; bën thirrje për veprime të koordinuara dhe proporcionale, duke përfshirë shtypjen e kërcënimeve ajrore; për një mbrojtje të unifikuar BE-NATO, sanksione të reja kundër Rusisë, përparim drejt një Unioni Mbrojtjeje, bashkëpunim më të ngushtë me Ukrainën; dhe mbështet nismat evropiane kundër dronëve dhe të Mbikëqyrjes së Krahut Lindor.
Ndërkohë, raketat dhe dronët rusë kanë goditur përsëri Ukrainën. Tre persona vdiqën gjatë natës në rajonin e Sumy-t. Në Odessa një sulm me dron rusplagosi pesë persona dhe dëmtoi infrastrukturën portuale dhe energjetike.
Presidenti Volodymyr Zelensky gjatë një konference për shtyp tha se dorëzimi i raketave amerikane Tomahawk, në Ukrainë mund ta detyrojë Rusinë të ulet në tryezën e negociatave.
“Tani për tani, është e rëndësishme të dërgohet një sinjal se Ukraina do të forcohet me të gjitha mjetet e mundshme. Dhe ky është një nga ato mjete që është i rëndësishëm për mua: Tomahawkët. Të gjitha këto zgjidhje mund ta forcojnë Ukrainën dhe t’i detyrojnë rusët të qetësohen dhe të ulen në tryezën e negociatave”, tha Zelensky.
Ndër të tjera lideri ukrainas theksoi se Ukraina është gati të nominojë Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen nëse ai arrin një armëpushim me Rusinë.