Komisioni Qendror Zgjedhjeve ka përmbyllur një nga operacionet më të gjata të rinumërimit të votave.
Për herë të parë, u hapën dhe u kontrolluan 45 % e fletëvotimeve të 11 majit, me kërkesë të PD-së dhe me urdhër të dy anëtarëve të KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa.
Për tre javë rresht, u numëruan disa kuti të Elbasanit dhe Durrësit si dhe u kontrolluan plotësisht votat e dy qarqeve më të mëdhenj; Tiranë e Fier.
Nga hapja e kutive, PD ishte partia që humbi më shumë vota, por me ndikim të papërfillshëm. Më shumë diferenca u gjetën tek votat për kandidatët, të cilat në Tiranë ishin më shumë gabime njerëzore, ndërsa në Fier pati raste që dyshohen seriozisht për abuzime.
Në Fier rinumërimi i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por kjo e fundit e refuzoi, duke ja lënë karrigen Zegjine Caushit, e cila kishte fituar në raundin e parë të numërimit.
Rinumërimi i Durrësit
Nga hapja e rreth 300 kutive të Durrësit, Aulon Kalaja nuk mundi që të marrë mandatin nga Arjan Ndoja, i cili kishte 1000 vota avantazh.
PD humb 18 vota, Partia Socialiste humb 5 vota, që ia kanë shtuar padrejtësisht nga numërimi fillestar, 5 vota humb koalicioni Djathtas për Zhvillim, 3 vota i shtohen partisë Mundësia, 1 votë i shtohet Lëvizjes Bashkë, 5 Nismës Shqipëria Bëhet dhe 1 Partisë Socialdemokrate.
Rinumërimi i pjesshëm në Durrës gjithësesi, i hoqi 86 vota ish prokurorit Arjan Ndoja, dhe i shtoi disa gazetarit Aulon Kalaja (12), por të pandjeshme për ndryshim. Sa i përket kandidatëve të tjerë në PD, 54 vota i shtohen Emri Vatës, 17 i shtohen Edlira Harizit, 24 Ndrec Pjetrit, ndërsa 39 i hiqen Petro Vokopolës.
Te socialistët, Arkend Balla ka marrë 63 vota pa meritë, që i hiqen nga numërimi i parë. Ani Dyrmishi rikuperon 18 vota, Alban Xhelili 25, kurse Erjon Xhili humb 37 vota.
Pritet certifikimi i rezultatit të 11 majit në 4 qarqet
Elbasani, Fieri, Tirana dhe Durrësi janë qarqet e fundit ku nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.
KAS do të mblidhet të hënën, për të vendosur nëse do të quhen apo jo të vlefshme zgjedhjet, të cilat i ka lënë në fuqi në 8 qarqet e tjerë. PD do të shkojë edhe për këto 4 raste në Kolegjin Zgjedhor, për të kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve, kërkesa që i janë rrëzuar për zonat e tjera.
Nga rinumërimi, KAS ka deklaruar se do të përcjellë për në prokurori disa numërues në Fier, të dyshuar për trafikim votash.
Rinumërimi i Durrësit/ Kalaja për Report Tv: Kërkoj rinumërimin e të gjithë qarkut, votat e mia u transferuan! Edhe KAS me dy standarde
Kandidati i PD-së për qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, u shpreh sot për Report Tv nga salla e pallatit “Farie Hoti” ku po rinumërohet pjesërisht me vendim të KAS, se procesi ka treguar se ka transferim të votave të kandidatëve brenda partisë dhe ai po mban shënim çdo rast.
Gazetari që ndodhet 1 mijë vota larg mandatit që ka fituar ish-prokurori i shkarkuar nga vetingu, Arjan Ndoja, shprehet se votat e tij janë transferuar nga numërimi i parë dhe kjo provohet nga rinumërimi i deritanishëm.
Ai sqaroi se ka kërkuar në KAS rinumërim të të gjithë qarkut dhe jo ashtu siç po spekulohet qëllimisht sikur kërkoi vetëm 60 kuti. Gjithashtu vuri në dukje se edhe vetë KAS po mban standard të dyfishtë për vota të ndryshme, në lidhje me vlefshmërinë apo pavlefshmërinë.
“Unë kam kërkuar hapjen e të gjithë qarkut të Durrësit. Është kërkesë e protokolluar. Unë kam kërkuar për të gjitha, teksa ka dezinformim sikur kam kërkuar vetëm për 60 kuti. Unë kam dërguar prova për 60 prej kutive dhe KAS ka vendosur kështu, por unë dua hapjen e të gjithave”, sqaroi kandidati.
Kurse për procesin ai tha se rezulton që vota e tij është transformuar dhe do vijojë me ankimimet për çdo rast të evidentuar që po mbahet shënim.
“Nga faza e parë tek e dyta rezulton se vota ime është transformuar. Unë kërkoj të ballafaqohen videot me procesverbalet apo kutitë. Kam mbajtur shënim çdo lloj vote. Shikoj se kanë mbajtur standarde të ndryshme për vota të ndryshme, në fund të procesit do bëj ankimimet e mia. Edhe KAS po mban qëndrime të tjera, unë po i mbaj shënim, ka problematika të ndryshme, ka pasur standarde të ndryshme për vota të ndryshme. Kam dyshime se janë bërë ndryshime artificiale me shënime votash kandidatësh apo partish nga procesi i parë deri tani. Rezulton se deri tani mua më janë marrë vota deri tani, votat e mia janë të pastra, të tjerëve u janë shtuar vota tepër në procesin e parë”, përfundoi Kalaja.
Nga rinumërimi i më shumë se gjysmës së kutive të vendosura nga KAS, deri tani kandidati Ndoja ka humbur më shumë se 50 vota që i kishte fituar padrejtësisht nga numërimi i parë, kurse kandidatit Kalaja i janë shtuar 5 që ia kishin hequr padrejtësisht te numërimi i parë.
Rinumërimi për Durrësin, KAS-i ‘favorizon’ ish-prokurorin Ndoja, i quan të vlefshme votën e pavlefshme të komisionerëve! Zbulohet arsyeja
Vota e pavlefshme, e kthyer e vlefshme për Ndojën nga KAS
Ndërsa po vijon rinumërimi i pjesshëm i kutive të qarkut të Durrësit, ku kandidati Aulon Kalaja pretendon se i janë vjedhur votat brenda PD-së me qëllim që të fitonte kandidati tjetër, ish-prokurori i shkarkuar nga Vettingu, Arjan Ndoja, një detaj është zbuluar nga procesi.
KAS-i i ka quajtur votë të vlefshme ish-prokurorit një prej atyre që komisionerët e kishin deklaruar të pavlefshme në numërimin e parë të 11 majit.
Procesi i rinumërimit për Durrësit po vijon te Pallati i Sportit ‘Farie Hoti” në Tiranë dhe ndodhet pothuajse në gjysmën e tij. Ndoja e ka fituar mandatin me 1 mijë vota diferencë nga ndjekësi më i afërt, Aulon Kalaja, që pretendon se i janë vjedhur nga brenda partisë. Kalaja kërkoi rinumërim të të gjithë qarkut, por KAS e pranoi vetëm pjesërisht. Deri tani Ndoja ka humbur mbi 50 vota nga procesi i rinumërimit.