Pas 5 ditësh mungesë të ujit ka nisur furnizimi i një pjese të qytetit të Vlorës – akutalisht zona e Lungomares. Pjesa tjetër e qytetit pritet të furnizohet me ujë në orët në vijim.
Me mbërritjen e pajisjeve të porositura në Turqi, gjatë natës dhjetëra punonjës të ujësjellës kanalizimeve në Vlorë punuan për riparimin e tubacionit kryesor, nga çarja e të cilit uji i pijshëm mungonte.
Ndërhyrja për rregullimin e tubit përfundoi rreth orës 04:00 të mëngjesit, moment në të cilin filloi edhe mbushja e depove. Autoritetet bëjnë me dije se furnizimi po kryhet ende me kapacitet të reduktuar, pasi po testohen pajisjet e reja të instaluara.
Një ditë më parë qytetarët mbajtën edhe një protestë para bashkisë, ku patën edhe përplasje me Policinë. Të revoltuar për këtë situatë ata hodhën letra higjenike dhe vezë para mjedisit të Bashkisë.
Ndërkohë Prokuroria e Vlorës bën me dije se nuk ka nisur hetim për këtë rast, pasi deri në këto momente nuk i është referuar asnjë material nga policia.