Pasi u mor e pandehur nga SPAK për shkelje me Tenderin e Llogarasë, zv.kryeministrja Belinda Balluku është nën hetim edhe për tenderin për lotin e katërt të Unazës së Madhe. Burime për Report Tv bëjnë me dije se GJKKO ka caktuar ndaj saj dy masa sigurie, pezullim të ushtrimit detyrës dhe funksionit, si ministre e Infrastrukturës dhe zv.kryeministre, ndërsa njëherazi i ka ndaluar edhe daljen jashtë shtetit.
Mësohet se vendimi është një marrë një ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi dhe sot u është dërguar institucioneve për zbatim. Report Tv ka mësuar se është vendosur arrest shtëpiak edhe për 2 zyrtarë të tjerë, masë e cila iu është komunikuar. Konkretisht për kreun e ARRSH Gentian Gjyli dhe drejtorin e KESH, Erald Elezi, të dy të marrë të pandehur për Tunelin e Llogarasë, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Pasi të njihen me vendimin e gjykatës, brenda 72 orëve Balluku dhe zyrtarët e tjerë duhet të paraqiten në GJKKO për verifikim të kushteve të masës së sigurisë dhe më pas kanë të drejtë ta ankimojnë. Në një reagim të parë për mediat, GJKKO u tregua e rezervuar për të ndarë një koment mbi këtë lajm. Prej 6 orësh, Balluku është në takim me kryeministrin Edi Rama në godinën e qeverisë. Në Kryeministri ka mbërritur edhe ish-ministri i Drejtësisë dhe deputeti Ulsi Manja.
Gjithçka u zbulua nga komunikimet e Ballukut me vartësit. Ashtu si në Tunelin e Llogarasë, SPAK dyshon se fituesi i tenderit me fond limit 20 mln euro për lotin 4 të Unazës së Madhe ishte i paracaktuar.Tenderi është fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk, me një ofertë prej 19.9 mln euro pa TVSH, vetëm rreth 5% më pak se fondi limit i përcaktuar nga ARRSH. Ky tender rezulton me flamur të kuq. Të gjithë operatorët e tjerë konkurrues janë skualifikuar, përfshirë edhe 3 ofertat më të ulëta.
Dy javë më parë, Balluku u mor e pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. SPAK e akuzon se ka kontrolluar çdo hap të një projekti me vlerë rreth 190 milionë euro dhe se ka paracaktuar fituesin në kundërshtim me kriteret standarde të prokurimit publik për një nga projektet më të shtrenjta të infrastrukturës në pesë vitet e fundit. Gjatë seancës parlamentare të së mërkurës, Balluku deklaroi se akuzat ndaj saj ishin të pabaza.
Balluku pretendon se pezullimi nga detyra është shkelje e Kushtetutës nga GJKKO! Ulsi Manjën e thirrën në kryeministri për opinion juridik
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet prej 5 orësh në kryeministri në një takim me kryeministrin Edi Rama, pasi Gjykata e Posaçme i caktoi masën e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, tashmë të ekzektuara.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se Balluku pretendon se pezullimi është shkelje e Kushtetutës nga ana e GJKKO-së dhe se këtë vendim nuk mund ta marrë kjo gjykatë.
Prej 2 orësh, takimit Balluku-Rama i është bashkuar edhe deputeti Ulsi Manja, i cili është thirrur për një opinion juridik lidhur me rastin, pasi me profesion ai është jurist, dhe ka qenë ish-prokuror e ish-ministër i Drejtësisë.
GJKKO pezulloi Ballukun nga detyra, reagon SPAK: Masa u ekzekutua! Zv.kryeministrja dhe vartësit paracaktuan fituesin e tenderit për Lotin 4 të Unazës së Madhe
SPAK thotë se janë ekzkutuar dy masat e sigurisë për Belinda Ballukun, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit.
Njoftimi i plote
Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njofton se, në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi:
Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), me fond limit 18.967.810.952 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, me numër REF-02817-08-13-2021 dhe fond limit 2.096.958.794 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në këtë fazë të hetimeve, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të të pandehurës Belinda Balluku. Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.
E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “I….dhe A…..”.
Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me numër REF-02817-08-13-2021, me fond limit 2,096,958,794,70 lekë pa TVSH, ka rezultuar se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga Institucioni në varësi të kësaj Ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave.
E pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë,“E…” sh.p.k, “P…”sh.p.k, dhe “N…”sh.p.k.
Gjatë këtyre dy procedurave të prokurimit janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin, nr. 162/2020, “Për Prokurimin Publik”, VKM nr.285, datë 19.05.2021,“Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për, me vendimin nr.118, datë 19.11.2025, ka vendosur :
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Me datë 20.11.2025, janë ekzekutuar masa e sigurimit personal :
Masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Hetimet e deritanishme janë kryer përmes metodave speciale, grumbullimit të provave digjitale si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për këtë procedim penal.
Balluku 4 orë në takim me Ramën, Partia Mundësia proteston jashtë kryeministrisë, kërkon dorëheqjen e saj
Ndërkohë që Belinda Balluku ndodhet prej 4 orësh në kryeministri në një takim me kryeministrin Edi Rama, Partia Mundësia ka organizuar një protestë rreth godinës, ku kërkon dorëheqjen e zëvendëskryeministres, pas masës së Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra.
Balluku prej 3 orësh në kryeministri, mbërrin edhe Ulsi Manja
Deputeti Ulsi Manja ka mbërritur në kryeministri rreth orës 15:40, ku prej të paktën 3 orësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është në një takim me kryeministrin Edi Rama.
Takimi i Ballukut me Ramën erdhi pas masës së propozuar nga SPAK dhe vendosur nga GJKKO për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ndalimin e daljes së saj jashtë shtetit.
Belinda Balluku e pezulluar nga detyra, prej 3 orësh në zyrën e Ramës! Kryeministri postim për përgatitjet e festave të Nëntorit dhe hapjen e një parkingu në Durrës
Zv.kryeministrja Belinda Balluku është pezulluar sot nga detyrat publike me vendim të GJKKO-së si dhe i është ndaluar të dalë jashtë shteti. Balluku po vijon takimin me kryeministrin Rama në godinën e qeverisë prej rreth 3 orësh, ndërsa kryeministri deri më tani nuk ka ende asnjë reagim. Ndërsa në rrjetet sociale ka publikuar dy postime njëri pas tjetrit, por që nuk lidhjen me këtë situatë.
Rama ka postuar disa foto nga nxënës të shkollave të ndryshme të qyteteve në Shqipëri, të cilët nëpërmjet programit ‘Art dhe Zeje’, po përgatiten për të festuar Ditën e Alfabetit dhe festat e Nëntorit.
Ndërkohë në postimin tjetër, shefi i qeverisë ka bërë me dije hajen e një godinë të re që do të shërbejë si parking në Durrës me energji të vetëprodhuar nga dielli. Përveçse një parking me 400 vende, godina do të shërbejë dhe për zyra e dhe zhvillimin e aktiviteteve të hapura social-kulturore.
Që prej datës 31 tetor, kur SPAK vendosi të merrte të pandehur Belinda Ballukun, e akuzuar për ‘shkelje të barazisë në tendera’ për tunelin e Llogarasë dhe së fundmi nën hetim dhe për ndërtimin e Unazës së Madhe, Loti 4, kryeministri ka deklaruar se nuk ndërhyn në punët e drejtësisë.
Të pandehur për Tunelin e Llogarasë, Gjylit dhe Elezit iu komunikohet masa e arrestit shtëpiak
Dy zyrtarëve, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi iu është kominkuar masa arrest shtëpiak. Të dy janë marrë të pandehur për Tunelin e Llogarasë, ndërsa vendimi për masën arrest shtëpie u mor vetëm një ditë më parë me vendim të GJKKO-së.
Andoni për Ballukun: Pas pezullimit nga GJKKO, duhet të jepte dorëheqjen! Ndaj saj mund të ketë akuza të tjera
Analisti Ben Andoni thotë se Belinda Balluku, pas masave të dhëna nga GJKKO, duhet të jepte dorëheqjen. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri”, ai theksoi se edhe Rama duhet ta shkarkojë nga detyra qoftë për pjesën morale, por gjithashtu edhe për faktin se qeveria duhet të funksionojë.
“Patjetër. E para për pjesën morale dhe e dyta që qeveria të funksionojë. Më e mira nga të gjitha do të ishte, që një individ që i ka marrë shtetit pafund, privilegje, ndere pozicione e rroga, duhet të kishte mirësinë, por kjo fjalë është e papërshtatshme për zonjën Balluku, që duhet të jepte dorëheqjen vetë. Pas pezullimit, duhet ta jepte vetë dorëheqjen.”, u shpreh Andoni.
Pyetur edhe për hetimet që kanë nisur ndaj saj për lotin 4 të Unazës së Madhe, ai tha se ndaj saj mund të ketë akuza të tjera.
“Mjafton që të themi se subjekti të jetë e tyre, patjetër që do të përcillen akuza të tjera ndaj zonjës Balluku. Balluku duhet të mendojë për mbrojtjen e saj dhe duhet të ketë zyrë juridike dhe jo individ për t’u mbrojtur. Përgjimet e prokurorisë tregojnë se përballja e saj do të jetë më e shpejtë se e Veliajt dhe e ish-presidentit Meta me drejtësinë.”, tha Andoni.
Zv.kryeministri pozicion kushtetues për Këshillin e Ministrave, a do ta shkarkojë Rama Ballukun?
Zëvendëskryeministri është një pozicion që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë si përbërje të Këshillit të Ministrave.
Në nenin 95, pika 1 e Kushtetutës thuhet qartë se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”.
Pra, një qeveri nuk mund të qëndrojë në këmbë pa postin e zëvendëskryeministrit.
Pas pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, Kryeministri Rama vendoset para vendimit për ta zëvendësuar atë. Ndërkohë që menjëherë pas publikimit të lajmit për vendimin GJKKO, Balluku ndodhet në Kryeministri në një takim me Kryeministrin.
GJKKO e pezulloi nga detyra, Belinda Balluku mbërrin në kryeministri! Takim me Ramën
Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka mbërritur në kryeministri.Burime për gazetaren e Report Tv, Raziela Myslimaj bëjnë me dije se Balluku po zhvillon takim me kryeministrin Rama.
Përveç akuzës për ‘shkelje të barazisë në tendera’ për tunelin e Llogarasë, dosja hetimore e Ballukut është ngarkuar dhe me një çështje tjetër, atë të ndërtimit të Unazës së Madhe, Loti 4. Me vendim të gjyqtarit Erion Çela, Ballukut i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike si dhe dalja jashtë vendi.
U pezullua nga detyra/ SPAK dyshon se Balluku paracaktoi tenderin 20 mln euro të Unazës së Madhe! Njëra prej kompanive fituese e lidhur me familjen Berisha
Tenderi i lotit të katërt të Unazës së Madhe u hap dhe u mbyll për tre muaj nga vartësit e Belinda Ballukut, Autoriteti Rrugor Shqiptar. Tenderi u hap më 16 gusht 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor. Bisedat e zv. kryeministres me vartësit e saj, të zbuluar njëjtë si me tenderin e Tunelit të Llogarasë nga dekriptimi i telefonave, tregojnë se fituesi ka qenë i paracaktuar.
Tenderi është fituar nga një bashkim i tre 3 operatorëve, “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk. Oferta e tyre ka qenë sa 95% e fondit limit të tenderit, pra e kanë fituar ndërtimin e lotit të katërt me 19.9 mln euro pa TVSH, ndërkohë që fondi limit ishte rreth 21 mln euro.
Kompania Euroteorema rezulton se ka marrë shumë tendera edhe në kohën e qeverisjes së Berishës, kur merrte konsulenca juridike nga Argita Berisha, ndërsa “Nova Construction – 2012” shpk është në pronësi të Ilir Shtufit, i cili është ortak i një kuote në masën e 91% të vlerës së kapitalit të kësaj, i lidhur ngushtë me familjen Berisha.
Në faqen e prokurimit publik, tenderi rezulton me flamur të kuq, për dy arsye: janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, duke përfshirë edhe ato me ofertat më të ulëta.
Mes 8 kompanive konkurruese tre kanë pasur ofertë më të ulët: ALB – STAR që ka dhënë 16.8 milionë euro, BOE “CURRI” dhe “VELLEZERIT HYSA” dhe “BE – IS” që kanë ofruar ndërtimin e lotit të katërt me 17.4 milionë euro dhe KEVIN CONSTRUKSION që kërkoi vetëm 15.9 milionë euro. Të treja janë përjashtuar me argumentin se nuk plotësonin kriteret teknike të tenderit.
Kompanisë fituese i janë dhënë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave 267.6 pikë, ndërsa mesatarja e gjithë të tjerave ka qenë 89.2 pikë.
Pra, një fitues që shpallet me një procedurë shumë të shpejtë, një fitues dhe 7 konkurrues që s’kualifikohen, mes tyre edhe 3 oferta shumë më të ulëta. Nëse do të ishte shpallur fitues një kompani tjetër, përveç asaj që SPAK dyshon se Balluku kishte paracaktuar, taksapaguesit shqiptarë mund të shpëtonin disa miliona euro.
A e detyron vendimi i GJKKO Ramën të shkarkojë Ballukun? Ja si përgjigjet avokati Hoxha
Avokati Arbër Hoxha, në një intervistë për Report TV, u pyet për masat e dhëna nga GJKKO ndaj zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit. I pyetur nga gazetari Nertil Agalliu nëse kryeministri Edi Rama detyrohet nga vendimi i Gjykatës së Posaçme për ta shkarkuar apo jo Ballukun, ai u përgjigj:
“Ligjërisht e pezullon atë nga detyra, më pas është kryeministri që zgjedh nëse zëvendës kryeministrja do të jetë e pezulluar apo jo. Ligjërisht nuk e detyron atë që ta shkarkojë atë. Kemi me një vendim pezullimi dhe ky vendim për aq kohë sa është në fuqi, zëvendës kryeministrja nuk e ushtron dot detyrën për sa kohë është në fuqi. Moralisht mund të shkarkohet por ligjërisht nuk është i detyrueshëm për kryeministrin për ta shkarkuar atë. “, tha avokati.
Ai u pyet edhe për masën ndryshe ndaj Ballukut dhe kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili është lënë në arrest shtëpie, ndërkohë që përballen me të njëjtën akuzë të shkeljes së barazisë në tendera. Në këtë rast, ai solli edhe praktikën e përdorur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
“Besoj se zoti Prençi (Prokurori i posaçëm) është personi që duhet pyetur si prokurori se pse ka zgjedhur këtë standart për dy persona në detyrë dhe masë sigurimi kaq të butë në raport edhe me praktikën e gjykatës së posaçme dhe SPAK në raste konkrete. Kujtojmë zoti Veliaj, dyshohet për 900 mijë euro dhe mbahet në arrest në burg prej më shumë se muajsh dhe zonja Balluku për 50 mln është caktuar masë ndalimi për të dalë jashtë shtetit.”, u shpreh avokati.
U morën të pandehur për Tunelin e Llogarasë, GJKKO cakton arrest shtëpie për kreun e ARRSH, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie për Gentian Gjyli, kreu i ARRSH dhe Erald Elezit, aktualisht drejtor i KESH. Ata janë dy nga 5 personat që janë marrë të pandehur për tenderin e Llogarasë.
Nën akuzë për Tunelin e Llogarasë, masat e lëshuara nga GJKKO ndaj Ballukut janë dhënë edhe për Unazën e Madhe
GJKKO ka vendosur dy masa sigurie për Belinda Ballukun, pezullim nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Burime për Report TV bëjnë me dije se masat janë lëshuar për tunelin e Llogarasë dhe për Unazën e Madhe, Loti 4. Në fund të tetorit, Balluku u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë.