Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Londrës për të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet më 22 tetor. Në samit do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin Kurti do të ndajë të njëjtën tryezë pas polemikave të fundit në distancë për tubimin në mbështetje të UÇK-së në Tiranë dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale.
Samiti i këtij viti pritet të fokusohet në çështjet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe migrimit, ndërsa udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin energjetik.
Procesi i Berlinit, i cili u iniciua nga qeveria gjermane në vitin 2014, synon të nxisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të përshpejtojë rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.